17.5 C
Tirana
Friday, November 22, 2024
spot_img
Faqe KryesoreLajmeAktualitetKreditimi, euro po “mposht” lekun edhe këtë vit

Kreditimi, euro po “mposht” lekun edhe këtë vit

Euro po dominon kreditimin e ekonomisë shqiptare edhe gjatë këtij viti. Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se për 10-mujorin 2022 kredia e re në monedhën europiane arriti në 943 milionë euro, në rritje me 32% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

E konvertuar në Lekë me kursin mesatar mujor, kjo vlerë është e barasvlershme me 112.7 miliardë lekë. Kjo shumë është 2.5% më e lartë krahasuar me kredinë e dhënë për të njëjtën periudhë në monedhën vendase.

Kredia e re në Lekë për 10-mujorin kishte vlerën e 110 miliardë lekëve.

Kredia në Lekë paraqitet në rritje me 5.3%, normë kjo shumë më e ulët krahasuar me rritjen e kredisë në Euro.

Nëse llogarisim edhe kredinë e re në Dollar Amerikan, që kishte vlerën e 46 milionë dollarëve ose 5.16 miliardë lekëve, mund të përllogaritet se kredia në valutë të huaj përbënte afërsisht 52% të kredisë së re për ekonominë gjatë 10-mujorit 2022, ndërsa kredia në lekë rreth 48%.

Duke parë strukturën e portofolit të kredisë për ekonominë, kredia në valutë ngelet dominuese në kredinë për bizneset, ndërsa kredia për individët në vitet e fundit ka një orientim të theksuar drejt lekut.

Kredia në Euro favorizohet nga disa faktorë, duke filluar së pari nga euroizimi i lartë i ekonomisë dhe sektorit financiar dhe dominimi i euros si monedhë në marrëdhëniet tregtare të vendit.

Në analizën periodike të treguesve që monitorohen në kuadrin e strategjisë së deeuorozimit, Banka e Shqipërisë vlerësonte se në mesin e këtij viti depozitat në valutë arritën në 53.2% të totalit të depozitave të klientëve, rreth 1.4 pikë përqindje më lart se fundi i gjashtëmujorit të kaluar dhe 2.3 pikë përqindje më lart se një vit më parë.

Analizat e deritanishme të Bankës së Shqipërisë kanë nënvizuar vazhdimisht se ulja e euroizimit të ekonomisë kërkon masa edhe nga institucionet e tjera vendimmarrëse. Por, deri tani qeveria nuk ka ndërmarrë asnjë masë që në mënyrë të drejtpërdrejtë apo të tërthortë të synojë të ulë përdorimin e euros në transaksionet e brendshme ekonomike.

Banka e Shqipërisë vlerëson se, në situata kur kursi i këmbimit është i qëndrueshëm dhe luhatshmëria e tij është e ulët, agjentët ekonomikë kanë tendencën të rrisin volumin dhe frekuencën e transaksioneve të tyre financiare në valutë. Kjo shoqërohet në përgjithësi me rritje të shkallës së përdorimit të valutës dhe ulje të vigjilencës ndaj rreziqeve që shoqërojnë ekspozimin e tyre ndaj saj. /Monitor

spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

REKLAME

spot_img

Me te lexuarat