17.5 C
Tirana
Friday, November 22, 2024
spot_img
Faqe KryesoreLajmeAktualitetRikthehen përmbytjet/ Qindra banesa dhe mijëra hektarë tokë nën ujë. Çfarë duhet...

Rikthehen përmbytjet/ Qindra banesa dhe mijëra hektarë tokë nën ujë. Çfarë duhet të ndryshojmë?

Sipërfaqe të përmbytura dhe ujë që rrethon banesat.

Është kjo pamja që të ofron zona fushore e nënShkodrës pas shirave të rrëmbyeshme që kanë përfshirë vendin prej disa ditësh.

Në të gjithë Bashkinë e Shkodrës janë 1685 hektarë të përmbytura, ndërsa janë evakuuar 26 familje me gjithsej 99 persona.

Ministria e Mbrojtjes njofton se orët në vijim mbeten sërish kritike, bazuar në parashikimet e motit për shtim të reshjeve të shiut.

Shqipëria e ekspozuar ndaj fatkeqësive natyrore, veçanërisht nga përmbytjet dhe tërmetet

Studimi i Bankës Botërore e rendit Shqipërinë në 10 vendet më të ekspozuara ekonomikisht nga risku i shumëfishtë i katastrofave natyrore, me gati 90% të Prodhimit të Brendshëm Bruto të ekspozuar në risk nga katastrofat natyrore.

Po sipas një raporti të Bankës Botërore, publikuar në maj të vitit 2021, Shqipëria ka aftësi të kufizuara të shuarjes së zjarrit në vende larg zonave të banuara.

Raporti evidenton gjithashtu se Shqipëria ka mangësi të theksuara për të kontrolluar zjarret në zona të largëta, pasi mungojnë automjetet 4×4 dhe pajisje specifike, si kamera termike për të vlerësuar zjarret.

Sipas BB-së, pajisjet dhe trajnimi janë një faktor kryesor në aftësinë e çdo shërbimi zjarrfikës.

Sa i përket tërmeteve, sizmiologu Rrapo Ormëni shprehet:

“Vendi ynë është një vend i dalluar në Europë për aktivitetin e tij sizmik, i cili ndodh kryesisht në disa breza sizmogjen siç është ai Adriatiko-Jonian, brezi Korçë-Ohër-Peshkopi dhe brezi Vlorë-Lushnje-Elbasan-Dibër. Në këto breza bien tërmete me magnituda të mëdha siç ka qenë tërmeti i vitit 1979 me magnitudë 6.9 të shkallës rihter, tërmeti i Durrësit i vitit 2019 me magnitudë 6.4 ballë të shkallës rihter. Po ashtu edhe tërmeti i vitit 1967 në Peshkopi me magnitudë 6.8 të shkallës rihter”.

Ndërkohë ish-drejtori i Emergjencave Civile, Shemsi Prençi, në një intervistë për Abc News do të shprehej se, Shqipëria është një vend me risk të lartë përsa i përket fatkeqësive natyrore.

ÇFARË DUHET BËRË?

Sa herë ndodhin fatkeqësi natyrore, sa herë ka përmbytje apo sa herë bie një tërmet organizojmë tavolina të rrumbullakta, flasim për planin e së ardhmes, vlerësimin e situatës etj. Por shumë shpejt çdo gjë harrohet dhe të dëmtuarit vazhdojnë të enden dyerëve të bashkisë apo qeverisë për të marrë dëmshpërblimin.

Ato ngjarje që cilësohen gjithmonë si “katastrofa”, nëse do të ishin siguruar do të quheshin si “ngjarje sigurimi”.

Ne nuk mund të shmangim shiun, breshërin, tërmetin e temperaturat e larta. Por ne mundet të parandalojmë dëmet financiare që rrjedhin prej tyre.

Shqipëria nuk duhet të bëjë shpikje! Praktika botërore na referon shembuj, ku këto lloj rreziqesh janë të detyruara me ligj që të sigurohen dhe mjafton që këto praktika pune të implementohen edhe tek ne.

Format e realizimit mund të jenë të ndryshme:

Një nga mënyrat efikase do të ishte që shteti ta marrë vetë përsipër që ti mbulojë këto katastrofa, duke blerë rreziqet nga kompanitë e sigurimeve në Shqipëri. Këto të fundit janë të risiguruara dhe bashkëpunojnë me disa nga kompanitë më me emër në botë, kompani të mëdha si “Munich Re”, “Swiss Re” apo “Hannover Re”, të cilat ofrojnë mundësitë për të mbuluar katastrofat natyrore të të gjitha përmasave në vend.

Mënyra tjetër është që shteti të ndërtojë një ligj, ashtu siç ka ndodhur në Turqi, në Greqi, në Rumani, në Poloni dhe pothuaj në të gjithë Europën ku sigurimi i banesave është i detyrueshëm.

Përllogaritja e primit të sigurimit bëhet duke llogaritur rreziqet potenciale të një vendi në një vit.

Më konkretisht, në Shqipëri konsiderohen rreth 1 milionë banesa dhe biznese, primi i të cilave shkon përreth 30 milionë euro, të cilat shkojnë për blerjen e rreziqeve, pasi duhet të krijohet një shtresë prej minimalisht 300 milionë eurosh në vit.

Atëherë llogaritet sa sa duhet të jetë çmimi i këtij mbulimi dhe mbi këtë bazë caktohet edhe primi i sigurimit, i cili varion nga 10 deri në 70 euro për familje. Ky prim paguhet një herë në vit dhe mbulon të gjitha rreziqet nga katastrofat natyrore.

Ekziston çdo gjë e nevojshme për qytetarët, por nuk ekziston dëshira e atyre që duhet të sigurohen. Nga ana tjetër dhe mungon ligji në Shqipëri, një ligj i cili do të ndërtonte një mbrojtje kolektive të gjithanshme.

Realizimi i njërës prej pikave të sipërpërmendura, do të shmangte përfundimisht përgjegjësinë e shtetit ndaj qytetarëve, do ti jepte një frymëmarrje Buxhetit të Shtetit, ekonomia e vendit do të rigjenerohej dhe mbi të gjitha krijohet pavarësia e çdo familjeje nga shteti!

Në fund të fundit çdo familje do ta rindërtonte jetën nga e para, pavarësisht fatkeqësisë që i ndodh.

LEXO EDHE: “Të zbuluar” përballë katastrofave natyrore/ Një shqiptar shpenzon vetëm 8 euro për sigurimin e pronës; një europian mbi 700 euro

Çfarë ligjesh mungojnë?

“Shqipëria vjen nga një sistem totalitar ku për çdo gjë kujdesej shteti. Dhe duke u edukuar në këtë mënyrë ne nuk patëm sigurime në shtetin e asaj kohe. I vetmi sigurim ishte sigurimi i anijeve që iknin jashtë, ndërsa pjesa tjetër e qytetarëve nuk kishin sigurime. Ekzistonin me raste të veçanta sigurime tek disa individë ose tregatarë, por në mënyrë masive nuk kishte sigurime.

Po të krahasohemi me vendet fqinje ata kaluan pothuajse të njëjtin sistem, por industria e sigurimeve atje pësoi ndryshime rrënjësore, duke njohur një zhvillim të dukshëm kohë pas kohe.

Sot, Shqipëria konsumon rreth 40 euro sigurime për frymë në vit, ndërsa vendet fqinje konsumojnë 3-4 fish më shumë, ndërsa Europa ka një mesatare prej 3000-4000 euro për frymë në vit për individ.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Zvicra konsumojnë 7000 dollarë/franga sigurime për frymë në vit, ç’ka e bën edhe më shumë diferencën e madhe që ka mes vendit tonë dhe kulturës së tyre për sigurimet.

Çfarë përfitojnë ata më shumë se ne?

“Përfitimet për sigurimet janë të njëjta, si në Shqipëri ashtu edhe në Europë e Amerikë sepse kontratat e sigurimit janë të njëjta. Por ndryshimi është se ata e kanë kulturën e sigurimeve dhe nuk mund ta mendojnë dot jetën e tyre pa një sigurim shëndeti, sigurim shtëpie, makine dhe pension që janë edhe sigurimet më të domosdoshme për çdo individ.

Sigurimet në fund të fundit janë ato që të krijojnë personalitetin dhe dinjitetin e njeriut. Unë e kam thënë shumë herë këtë, sepse është shumë e rëndësishme që ta kuptojmë. Sigurimet mundësojnë pavarësinë e çdo qytetari nga shteti. Sepse nëse ke një paketë sigurimesh që janë më të domosdoshme për vijueshmërinë normale të jetës atëherë ty nuk të intereson të dish as se kush është kryetari i bashkisë, as se kush është ministri i shëndetësisë apo ministri i financave e kështu me radhë. Ty të intereson që ajo kontratë sigurimesh që ti ke lidhur me kompaninë e sigurimeve të zbatohet dhe të të dëmshpërblejë për ato dëme që të janë shkaktuar”, do të shprehej në një intervistë televizive Drejtori i Përgjithshëm i SIGAL UNIQA Group Austria, z. Avni Ponari.

Nuk duhet harruar se:

Impakti i sigurimit të pronës do të sillte përfitime të shumta fiskale dhe përfitime për familjet, bizneset dhe qeverinë.

Në rastin e familjeve, aksesi për një sigurim të përballueshëm në rast fatkeqësish natyrore do të shërbejë si një rrjet i rëndësishëm financiar siguracioni që do të ndihmojë pronarët e shtëpive të mbrojnë kursimet e tyre dhe të evitojnë shkatërrimin financiar.

Në rastin e bizneseve, aksesi për sigurim ndaj fatkeqësive natyrore do të reduktojë impaktin e padëshirueshëm të rreziqeve natyrore në fitimet e tyre duke reduktuar në këtë mënyrë koston e huamarrjes dhe duke çuar në përmirësimin e vlerësimeve të biznesit.

Në rastin e qeverisë, sigurimi i pronës do të ndihmojë në reduktimin e detyrimeve të mundshme financiare që lindin si rezultat i ekspozimit ndaj rreziqeve natyrore. Do të mundësojë akses ndaj  likuiditeteve të menjëhershme pas rasteve të fatkeqësive. Do të ndihmojë të zbusë impaktet e padëshiruara nga rreziqet natyrore në stabilitetin fiskal dhe rritjen ekonomike.

LEXO EDHE: 10 fatkeqësitë më të mëdha klimatike gjatë vitit 2021, kushtuan 170 miliardë dollarë

spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

REKLAME

spot_img

Me te lexuarat