Qeveria shqiptare u bëri apel pak ditë më parë individëve që të investojnë në tituj qeveritarë, bono dhe obligacione, duke përfituar nga kushtet favorizuese të përfitimit që paraqesin ato aktualisht.
Apeli erdhi në një kohë kur qeveria po përfiton nga situata aktuale për të ristrukturuar borxhin publik por edhe në kushtet kur individët kanë pësuar një stepje në pjesën e dytë të vitit për të marrë pjesë në ankandet e qeverisë, pavarësisht normale të larta të fitimit.
LEXO EDHE: “Risk zero”, Rama: Moment i mirë për të investuar në bono thesari
Por cila është pesha e individëve në borxhin e brendshëm të qeverisë shqiptare?
Referuar të dhënave të Ministrisë së Financave, individët përbëjnë 10% të peshës së mbajtësve të titujve qeveritare në tregun e brendshëm.
Në vend të parë janë bankat me rreth 63 % ndërsa në vend të dytë institucionet financiare me rreth 15 %.
Në total, qeveria shqiptare ka planifikuar që për vitin 2022 të emetojë bono dhe obligacione në vlerë 33 miliardë lekë.
Por në pjesën e parë të vitit është realizuar vetëm një pjesë e vogël e tyre, rreth 4 miliardë lekë, duke bërë që spostohet në gjysmën e dytë të vitit një shumë relativisht e lartë për financimin e brendshëm të deficitit.
Bonot e Thesarit dhe obligacionet janë instrumente te indeksuara.
Ndryshimi kryesor është që Bonot e Thesarit kanë maturitet për më pak se një vit, ndërsa obligacionet kanë maturitet për më tepër se një vit dhe janë të garantuara nga qeveria shqiptare.
Çfarë janë Bonot e Thesarit?
Bonot e thesarit janë instrumente financiare afatshkurtra me maturim 3, 6 dhe 12-mujor. Interesi i përfituar nga ky instrument llogaritet si diferencë ndërmjet vlerës nominale dhe çmimit të blerjes së kuponit.
Bonoja e Thesarit e qeverisë shqiptare është një instrument i tregtueshëm borxhi me maturim deri në një vit, që emetohet dhe garantohet nga Qeveria e Republikës së Shqipërisë.
Bonot e thesarit emetohen (nxirren për shitje) nga qeveria nëpërmjet ankandit. Kjo formë nënkupton që investitorët duhet të konkurrojnë për blerjen e këtij instrumenti. Konkurrimi bëhet nëpërmjet vendosjes së normës së interesit, që quhet yield i bonove të thesarit. Yield-i i bonove të thesarit është bazë për llogaritjen e çmimit të blerjes së bonos së thesarit.
Interesi (kthimi) i përfituar nga investimi në bono thesari llogaritet si diferencë e çmimit të blerjes së bonos me vlerën nominale të saj. Raporti i kësaj diference me çmimin e blerjes të llogaritur në bazë vjetore, shpreh normën e kthimit të përfituar nga investimi. Bonot e Thesarit janë të tregtueshme dhe mund të shiten/blihen para afatit të maturimit. Tregtimi i një bonoje thesari mund të bëhet deri në 1(një) ditë para maturimit.
Tregtimi mund të bëhet me subjektet e licencuara nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF).
Në datën e maturimit të bonos së thesarit, aplikohet tatimi mbi të ardhurat (kthimi nga investimi) e përfituara nga investimi.
Individët mund të marrin pjesë në ankandet e bonove të thesarit:
-nëpërmjet sporteleve të Bankës së Shqipërisë
-nëpërmjet subjekteve të licencuara për këtë shërbim
Çfarë janë Obligacionet?
Obligacionet e thesarit janë instrumente financiare afatmesëm dhe afatgjatë me maturitet 2, 3, 5, 7 dhe 10-vjeçare. Interesi i përfituar në formën e kuponit, paguhet çdo 6 muaj gjatë kohëzgjatjes së instrumentit. Përgjithësisht, obligacionet emetohen me kupon fiks, pra një normë fikse interesi gjatë gjithë kohëzgjatjes së obligacionit. Por, mund të emetohen edhe me kupon variabël. Në këtë rast, norma e interesit është e ndryshueshme dhe përcaktohet çdo vit si shumatore e normës së indeksit të ndryshueshëm dhe një e marzhi fiks që përcaktohet në ankand.
Norma e indeksit llogaritet para zhvillimit të ankandit/datës së ripërcaktimit të kuponit të obligacionit variabël, si mesatare e interesit të ponderuar të bonove të thesarit 12-mujore në tre ankandet e fundit.
Në rolin e agjentit fiskal të Qeverisë, Banka e Shqipërisë është përgjegjëse për organizimin e ankandeve, shlyerjen dhe mbajtjen e regjistrit elektronik të titujve shtetërorë të emetuar në tregun e brendshëm.
Si të marr pjesë në ankand?
Individët mund të marrin pjesë në ankandet e obligacioneve vetëm nëpërmjet subjekteve të licencuara për këtë shërbim.