11.5 C
Tirana
Friday, November 22, 2024
spot_img
Faqe KryesoreLajmeAktualitet8 Dhjetori, Dita Kombëtare e Rinisë

8 Dhjetori, Dita Kombëtare e Rinisë

Sot shënohet Dita Kombëtare e Rinisë.

Më 8 dhjetor 1990, një grup studentësh e pedagogësh të Universiteteve të Tiranës, u bënë iniciatorë e protagonistë të kthesës së madhe historike.

Duke nisur protestat, ata sollën rënien e sistemit komunist dhe lindjen e demokracisë.

Me shprehjen “E duam Shqipërinë si gjithë Europa”, të rinjtë kërkuan ngritjen e sistemit të vlerave perëndimore dhe të shtetit të së drejtës; integrimin në Europë dhe garantimin e pluralizmit politik si bazë kryesore për një shoqëri të lirë e demokratike.

Rezistenca e tyre i dha fund epokës të gjatë të vetëizolimit duke i hapur kështu rrugën e ekonomisë së tregut dhe shoqërisë së hapur.

Por, në këto tri dekada, realiteti nuk duket t’i jetë afruar ambicies së të rinjve. Ata, me shumicë, po rezultojnë se kanë zgjedhur t’i përmbushin ato diku tjetër. Të dhënat e INSTAT tregojnë se në vitin 2022, grupmosha 0-24 vjeç përbënte vetëm 30% të popullsisë, nga gati 50% që ishte në 2011 (e dhëna më e hershme që është e disponueshme nga INSTAT). Në shifra janë rreth 570 mijë të rinj e fëmijë më pak se dy dekada më parë.

 

Arsyet janë të shumta. Një prej tyre është plakja graduale e popullsisë, një tendencë deri diku normale që ka ardhur me zhvillimin e vendit dhe ndryshimin e stilit të jetesës. Efektin më të lartë po e jep emigracioni, i cili, jo vetëm që nuk është ndalur, por pas vitit 2016 është përshpejtuar, me mbi 70% të të ikurve që janë të moshës nën 24 vjeç, siç ka rezultuar nga të dhënat e azilkërkuesve që raporton Eurostat.

Një studim i fundit tregoi se janë rreth 17 mijë studentë që studiojnë jashtë dhe nuk kanë ndër mend të kthehen.

Është e vërtetë që Shqipëria e sotme është më mirë se Shqipëria e fillim viteve 1990. Por, po kaq e vërtetë është që Shqipëria e sotme është shumë larg asaj që priste një student i vitit 1990.

Ndryshe nga energjia e viteve ’90, reagimi i heshtur që ata po zgjedhin është emigracioni. Justifikimi që kjo ndodh në të gjithë vendet e Europës Lindore dhe se nuk mund të konkurrojmë me pagat e Gjermanisë zbehet në momentin që krahason shifrat e ikjes në raport me popullsinë, ku Shqipëria renditet me vendet që sot janë në luftë!

Të rinjtë janë burimi i parë i shpresës për një të ardhme më të mirë, janë shtylla kurrizore e çdo shoqërie, përfaqësojnë më të mirën e së tashmes dhe të asaj që do të vijë.

Atyre duhet t’u ofrohet perspektivë, duke përfshirë punë cilësore dhe mundësi arsimimi dhe trajnimi për Shqipërinë e së ardhmes dhe të mbështetet pjesëmarrja e të rinjve në shoqëri, si forma më e mirë për të ndalur hemorragjinë që ka përfshirë sot vendin.

spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

REKLAME

spot_img

Me te lexuarat