11.5 C
Tirana
Friday, November 22, 2024
spot_img
Faqe KryesoreLajmeAktualitet2021, transfertat bankare nga jashtë për individët u rritën me 10%

2021, transfertat bankare nga jashtë për individët u rritën me 10%

Transfertat hyrëse nga jashtë vendit në llogaritë bankare të individëve në Shqipëri shënuan një rritje të ndjeshme vitin e kaluar.

Mbështetur në të dhënat e Bankës së Shqipërisë, ato arritën vlerën e 45.5 miliardë lekëve apo rreth 375 milionë eurove, në rritje me 10.4% krahasuar me një vit më parë. Vlera e transfertave hyrëse është më e lartë krahasuar edhe me dy vitet përpara pandemisë, por ngelet larg niveleve më të larta historike të raportuara nga Banka e Shqipërisë, që i takojnë viti 2015. Pjesërisht, kjo mund të lidhet edhe me efektin statistikor të nënçmimit të euros dhe faktin që statistikat raportohen në lekë.

Në raport me vitin 2015, euro është zhvlerësuar me afërsisht 12% ndaj lekut.

Rritja e transfertave hyrëse ishte edhe më e lartë në numër transfertash. Numri i tyre për vitin 2021 arriti në më shumë se 170 mijë, me një rritje prej 30.7% krahasuar me një vit më parë.

Lexo edhe: 11-mujori 2021/ Sigurimi i jetës së debitorit, kontrata rritje me 21%. SIGAL LIFE në krye

Banka e Shqipërisë i detajon transfertat hyrëse ndërkombëtare sipas bizneseve dhe individëve që prej viti 2015. Numri i transfertave të regjistruara këtë vit është niveli i dytë më i lartë gjatë kësaj periudhe, i tejkaluar vetëm në vitin 2019.

Rritja e transfertave nga jashtë në llogaritë e individëve është një tregues pjesor që sinjalizon rritje të remitancave edhe për vitin e kaluar, megjithëse transfertat bankare nuk janë kanali i vetëm i hyrjes së tyre. Një peshë edhe më të lartë zënë dërgesat nëpërmjet operatorëve të transfertave të parave dhe atyre që hyjnë në rrugë informale.

Të dhënat e Bankës së Shqipërisë janë të disponueshme deri në fund të 9-mujorit, kur u raportuan remitanca për një vlerë të përgjithshme prej 541 milionë eurosh. Krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, remitancat u rritën me 15%, duke shënuar gjithashtu nivelin më të lartë të periudhës 9-mujore që prej vitit 2009.

Po t’i referohemi vitit 2020, transfertat bankare hyrëse në llogaritë e individëve përbënin vetëm 37% të vlerës totale të remitancave (përfshi dërgesat e emigratëve dhe të ardhurat nga puna jashtë vendit).

Në dekadën e fundit është shënuar një valë e re emigracionit shqiptar, e drejtuar sidomos drejt vendeve të Europës Perëndimore. Kjo valë e re ka përfshirë në një pjesë më të madhe profesionistë dhe punonjës të specializuar, që kanë shfrytëzuar kërkesën për punë në tregjet europiane, ku shembulli më tipik është Gjermania. Kjo valë e re emigracioni ka ushqyer një cikël të ri të rritjes së remitancave që dërgohen në Shqipëri.

Përveç remitancave në formën e tyre më të zakonshme, të dërgesave të emigrantëve në formën e ndihmës për familjet e tyre në Shqipëri, në vitet e fundit ka një tendencë të rritjes së të ardhurave nga puna jashtë vendit dhe sidomos nga ajo në distancë. Veçanërisht në shërbime të lidhura me teknologjinë e informacionit dhe komunikimit, ka një tendencë të shtimit të numrit të profesionistëve që punojnë për kompani të huaja në formë remote. Sipas Bankës së Shqipërisë, për 9-mujorin 2021 të ardhura nga puna jashtë vendit kishin vlerën e 177 milionë eurove, në rritje me 3% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

/B.Hoxha, Monitor 

Burimi: Banka e Shqipërisë

Lexo edhe: SONDAZHI/ SIGAL UNIQA dhe SIGAL LIFE UNIQA, kompanitë e sigurimeve më të besuara tek shqiptarët

spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

REKLAME

spot_img

Me te lexuarat