Numri i viktimave nga përmbytjet në Greqinë qendrore ka shkuar në 15, pasi trupat e pajetë të 4 personave që rezultonin të zhdukur u gjetën të dielën. Sipas asaj që shkruan Kathimerini, 3 prej viktimave u gjetën në fshatrat pranë qytetit të Karditës në Thesalinë perëndimore.
Viktimat janë një grua 88-vjeçare dhe djali i saj 65 vjeç, të cilët u gjetën në shtëpinë e tyre, ashtu sikurse edhe një 58-vjeçar, trupi i të cilit u zbulua mes dy fshatrave.
Roja bregdetare tha të dielën se ishte zbuluar po ashtu trupi i një 42-vjeçari, i cili rezultonte i zhdukur prej së martës. Ai u zbuluan në det pranë qytetit të Volos. Hera e fundit që ishte parë, 42-vjeçari ndodhej në automjetin e tij në vështirësi për ta kontrolluar nga ujërat e rrëmbyer.
Shërbimi zjarrfikës grek tha se qëkur përmbytjet goditën vendin, janë evakuuar më shumë se 3500 persona. Operacionet e shpëtimit vijojnë.
LEXO EDHE: Katastrofat te dera/ Çfarë duhet të mësojmë nga ngjarjet e fundit në Greqi