Një nga këshillat më të rëndësishme për çdo individ që dëshiron të sigurojë një të ardhme të qetë financiare është fillimi i hershëm i investimit.
Z. Edmond Koçi, Zv. Drejtor i Përgjithshëm dhe Drejtor i Shitjeve të Sigal Pension, thekson se koha kur filloni të investoni është vendimtare për krijimin e një pensioni të kënaqshëm në moshën e pleqërisë.
“Çdo individ që shfaq interes për të investuar në fondin e pensionit privat fillimisht pyetet për moshën e tij. Bazuar në këtë informacion, ne sugjerojmë opsionet më të përshtatshme për investim,” shpjegon z. Koçi.
Për shembull, një individ që nis të investojë 1,000 lekë në muaj për 20 vjet mund të ketë mundësinë të marrë rreth 2,500 lekë në muaj gjatë periudhës së pensionit. Ky shembull tregon qartë se investimi afatgjatë sjell benefite më të mëdha, duke transformuar kontributet mujore në një të ardhur të qëndrueshme për dekada më vonë.
Megjithatë, z. Koçi. nënvizon se fondet e pensionit privat ofrojnë opsione për të gjitha moshat dhe kategoritë e të ardhurave. Edhe individët me të ardhura minimale kanë mundësi të kursejnë diçka për pensionin e tyre, ndërsa ata me rroga më të larta përfitojnë nga lehtësirat fiskale.
Një avantazh i rëndësishëm i fondit të pensionit privat është se paratë e anëtarëve investohen dhe gjenerojnë një normë kthimi të qëndrueshme, e cila për fondin e Sigal Pension ka qenë rreth 4.3% mesatarisht në 20 vitet e fundit.
“Ky është një investim i zgjuar, i garantuar dhe që sjell përfitime reale për të gjithë anëtarët,” përfundon z. Koçi.
Investimi në një fond pensioni privat nuk është thjesht një kursim; është një strategji për të siguruar një të ardhme të qëndrueshme dhe të sigurt financiare, e cila fillon me vendimin për të nisur investimin sa më herët të jetë e mundur.




