Zëvendësdrejtori i Fondit të Pensioneve SIGAL dhe njëherësh drejtori rajonal i shitjeve, z. Edmond Koçi, ndau me publikun një shpjegim të thjeshtësuar se si funksionon sistemi i sigurimeve shoqërore në nivel teorik dhe se si funksionon ky sistem praktikisht në Shqipëri.
Z. Koçi shpjegoi se çfarë janë tre kolonat e këtij sistemi për të cilat media dhe politika së fundmi po diskutojnë aq shumë.
Ai u ndal dhe radhiti arsyet se pse janë të gjitha arsyet, që me një vendim të pjekur dhe racional, ia vlen të investosh në Fondin e Pensioneve SIGAL.
Më poshtë zbardhjen e shpjegimit të plotë dhe materialin video të z. Koçi:
“Sistemi i sigurimeve shoqërore është krijuar duke u bazuar në tre kolona.
Kolona e parë është sigurimi i detyrueshëm shoqëror, për të cilin çdo individ që është në marrëdhënie pune ka një detyrim ligjor të paguajë sigurime shoqërore. Funksionimi i kësaj kolone bazohet në parimin e kontributit gjatë periudhës së punës: gjatë kohës që je i punësuar paguan kontribute, në mënyrë që kur të mbushësh moshën e pensionit, të përfitosh pension gjatë pleqërisë. Kolona e parë ka funksionuar historikisht mbi bazën e numrave: sa më i madh numri i kontribuesve, aq më shumë kapital gjenerohet për të paguar pensionet. Megjithatë, për shkak të ndryshimeve demografike, rënies së lindshmërisë dhe lëvizjes së njerëzve drejt vendeve të tjera, numri i kontribuesve, sidomos në Shqipëri, është gjithmonë në rënie. Për pasojë, kjo skemë ka humbur funksionalitetin e saj të plotë.
Pikërisht për këtë arsye, në shumë vende të Evropës ndër vite janë krijuar kolona e dytë dhe e tretë e sistemit të pensioneve. Kolona e dytë është sigurimi privat i detyrueshëm. Kjo do të thotë se, me bazë ligjore, përveç sigurimeve shoqërore të detyrueshme, individët dhe kompanitë kanë detyrimin të paguajnë një përqindje të caktuar si kontribut për pensionet private të punonjësve, një pjesë nga punëdhënësi dhe një pjesë nga punëmarrësi.
Përveç kësaj, ekziston edhe kolona e tretë, e cila e bën sistemin një model me tre kolona.
Kolona e tretë është pensioni privat vullnetar. Në Shqipëri, kjo kolonë funksionon prej rreth 20 vitesh dhe u jep mundësinë individëve të kursejnë për të pasur një garanci shtesë financiare gjatë pleqërisë. Funksionimi i kolonës së tretë është i thjeshtë: gjatë periudhës së punësimit, një individ mund të krijojë një fond privat pensioni ku derdh kontribute mujore, tremujore ose vjetore në llogarinë e tij të fondit. Ne, si kompani administruese, investojmë fondet e akumuluara nga anëtarët tanë kryesisht në instrumente financiare me risk minimal, duke gjeneruar një normë mesatare kthimi prej rreth 4.2%. Kjo është norma mesatare e kthimit që ne u ofrojmë anëtarëve tanë.
Të paturit e një fondi privat vullnetar sjell disa avantazhe. Përveç faktit që individi kursen për të ardhmen, këto para jo vetëm ruhen, por edhe investohen, duke gjeneruar një fitim shtesë.
Çdo aset që anëtari ka në llogarinë e tij është i trashëgueshëm dhe nuk humbet në asnjë moment; ai u kalon familjarëve.
Po ashtu, çdo shumë në llogarinë e pensionit privat është e patjetërsueshme: edhe nëse individit i bllokohen llogaritë për shkak të detyrimeve ndaj palëve të treta apo problemeve ligjore.
asetet në fondin e pensionit privat nuk preken.
Për më tepër, individët përfitojnë lehtësira fiskale, çdo pagesë që bëhet nga paga për fondin privat i zbritet nga tatimi mbi të ardhurat.
Edhe kompanitë mund të krijojnë fonde pensioni për stafin e tyre dhe çdo shpenzim i bërë për këtë qëllim u zbritet nga tatimi mbi fitimin.
Mos humbisni kohë: krijoni tani fondin tuaj të pensionit privat për një siguri më të madhe financiare dhe një pleqëri të qetë dhe të garantuar.”




