Stuhia “Ciaran” shkaktoi reshje të dendura shiu e për rrjedhojë përmbytje në të gjithë Shqipërinë, çka solli edhe një herë në vëmendje çështjen e mbulimit të ulët me sigurim të banesave.
Kështu e nis artikullin e saj “Xprimm“, një prej mediave më të njohura në Evropë, dedikuar sigurimeve.
Media në fjalë citon të dhënat zyrtare të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, sipas të cilave rezulton se në total, në periudhën janar-shtator 2023, në të gjithë vendin janë paguar më pak se 20 milionë euro për sigurimin e pronave nga fatkeqësitë natyrore.
Megjithëse shifra është me 19% më e lartë se në 9-mujori 2022, totali mbetet shumë i ulët, duke marrë parasysh se pjesa dërrmuese e kësaj shifre përbëhet nga kontratat e sigurimit të pronës publike, si dhe nga huamarrësit, të detyruar nga bankat të sigurojnë pronat për të mundësuar marrjen e kredive, përcjell sigurime.online.
I gjithë portofoli i sigurimit të pasurisë është shumë i ulët për këtë vit, megjithëse përmbytjet dhe zjarret përsëriten rregullisht vit pas viti, duke shkaktuar shumë dëme për biznese dhe individë. Për portofolet e Pasurive, Përgjegjësive, Garancive, për periudhën janar-shtator janë paguar 29.5 milionë euro në total nga individë dhe biznese shqiptare.
Pjesën dërrmuese të kësaj vlere e zë Zjarri dhe Dëmet Pasurore të Tjera me rreth 65.33%, ndjekur nga Sigurimi i Përgjegjësisë së Përgjithshme me 25.77% të totalit.
Stuhia “Ciaran” që përmbyti rajone të gjera në veri të Italisë, por përfshiu edhe Shqipërinë në fund të javës së kaluar, duke shkaktuar probleme në disa qytete.
Në kryeqytetin Tiranë shumë rrugë u përmbytën ndërsa pati probleme edhe me furnizimin me energji elektrike.
Zonat më problematike në vend mbeten Shkodra, Lezha, Elbasani dhe Korça.