Në Bashkinë e Delvinës ka përfunduar vlerësimi paraprak i dëmeve të shkaktuara nga zjarret e verës, që përfshinë zonat e Njësisë Administrative Vergo dhe qytetin e Delvinës.
Sipas raportit përfundimtar, dëmet kapin vlerën e rreth 9.5 miliardë lekëve, duke prekur ndjeshëm sektorët e bujqësisë, blegtorisë dhe banesave.
Janë evidentuar 16 banesa të dëmtuara, mbi 66 mijë rrënjë ullinj dhe 18 mijë pemë frutore të djegura, 622 koshere bletësh të shkatërruara, si dhe dëme në bagëti e dy objekte kulti.
Vlerësimi u krye nga katër grupe të posaçme që punuan në terren për disa javë.
Zjarret më të mëdha u regjistruan në fshatrat Senicë dhe Kalasë, si dhe brenda qytetit të Delvinës në muajin gusht.
Autoritetet vendore bëjnë të ditur se pritet miratimi i një vendimi qeveritar për kompensimin e banorëve të prekur në muajt në vijim.