Kush përdor bombula gazi për aktivitetin e tij do të duhet të bëjë sigurimin e detyrueshëm.
Vendimi i qeverisë ka marrë fuqi ligjore dhe parashikon që restorantet, hotelet, kompanitë e ndërtimit e prodhimit e deri edhe institucionet shtetërore që përdorin kaldaja, bombula gazi apo pajisje nën presion, do të jenë të detyruara të bëjnë sigurimin, mbi bazën e nivelit të riskut që kategorizohen pajisjet që ato përdorin.
Kontratat që do të duhen që ato të lidhin me kompanitë e sigurimit, duhet të parashikojnë rastet e rreziqeve që mund të shkaktojnë këto pajisje.
Kështu, për pajisje apo impiante nën presion me rrezik të ulët, kufiri minimal është 10 milionë lekë për ngjarje sigurimi dhe 20 milionë lekë në agregat, ndërsa për pajisje me rrezik të mesëm 20 milionë lekë për ngjarje sigurimi dhe 40 milionë lekë në agregat.
Po ashtu, vendimi i qeverisë përcakton për impiantet me rrezik të lartë, kufiri minimal do të jetë 35 milionë lekë për ngjarje sigurimi dhe 70 milionë lekë në agregat dhe ato me rrezik shumë të lartë, 50 milionë lekë për ngjarje sigurimi dhe 100 milionë lekë në agregat.
Vendimi i Këshillit të Ministrave:
Neni 1
Qëllimi i këtij vendimi është:
- Përcaktimi i kategorive të operatorëve ekonomikë, të cilët kanë në pronësi ose administrojnë pajisje apo instalime nën presion, në funksion të një veprimtarie tregtare dhe që duhet t’i nënshtrohen detyrimit për t’u pajisur me kontratën e sigurimit të përgjegjësisë civile.
- Përcaktimi i kufirit minimal të përgjegjësisë që mbulohet nga kontrata e sigurimit, me qëllim garantimin e sigurisë së mjedisit, jetës, shëndetit dhe pronës së qytetarëve nga rreziqet e shkaktuara nga këto pajisje dhe instalime.
Neni 2
Fusha e zbatimit
- Dispozitat e këtij vendimi zbatohen për të gjithë operatorët ekonomikë, që administrojnë apo shfrytëzojnë pajisje dhe instalime nën presion, sipas përcaktimeve të ligjit nr.32/2016, “Për garantimin e sigurisë së punës të pajisjeve dhe instalimeve nën presion”.
- Sigurimi i detyrueshëm kryhet vetëm pasi operatori ekonomik ka regjistruar pajisjen/instalimin nën presion pranë Inspektoratit Shtetëror Teknik dhe Industrial, sipas përcaktimeve të nenit 7, të ligjit nr.32/2016.
Neni 3
Kategoritë e operatorëve ekonomikë që i nënshtrohen detyrimit për t’u pajisur me kontratën e sigurimit të përgjegjësisë civile
Kategoritë e operatorëve ekonomikë, të cilët kanë në pronësi apo administrojnë pajisje/instalime nën presion, në funksion të një veprimtarie tregtare dhe që duhet t’i nënshtrohen detyrimit për t’u pajisur me kontratën e sigurimit të përgjegjësisë civile janë, si më poshtë vijon:
- Subjekte që zhvillojnë aktivitet tregtar dhe ofrojnë shërbime për të tretë në fushat:
- Restorant/shërbime ushqimi;
- Akomodim/turizëm;
- Shërbim social;
- Shërbim shëndetësor
- Institucione arsimore
- Institucion/ndërmarrje shtetërore;
- Ndërtim;
- Prodhim/përpunim/tregtim produkte joushqimore;
- Prodhim/përpunim/tregtim produkte ushqimore;
- Shoqëri tregtimi fluidi me shumicë;
- Shoqëri tregtimi fluidi me pakicë;
- Shoqëri nxjerrje/prodhimi dhe përpunimi fluide/hidrokarbure;
- Shoqëri prodhimi dhe përpunimi gazrash teknike/mjekësore;
- Shoqëri tregtimi gazrash teknike/mjekësore me shumicë;
- Shoqëri tregtimi gazrash teknike/mjekësore me pakicë;
- Transportim i bombolave të ndryshme;
- Transportim me autocisterna;
- Shërbime hekurudhore;
- Shërbime detare;
- Aktivitete të turizmit detar;
- Subjektet fizike dhe juridike, që operojnë në fushën e mbrojtjes nga zjarri dhe shpëtimi, që gjatë veprimtarisë së tyre përdorin enë nën presion (sistemet e mbrojtjes nga zjarri).
- Subjektet që përdorin dhe/ose administrojnë enë nën presion, sipas volumit:
- Kaldajë avulli dhe ujë të nxehur në prodhimtari;
- Pajisje nën presion stacionare/rezervuar GLN (gazi i lëngshëm i naftës);
- Bombola GLN (pajisje të transportueshme nën presion-PTNP);
- Enët e thjeshta nën presion/stacionare;
- Enët kriogjenike për gazrat teknike hidrogjen/oksigjen (përfshirë PTNP-të);
- Bombolat e gazrave teknike dhe mjekësore (PTNP);
- PTNP të tjera;
- Rezervuar hidrokarbur/lëndë djegëse
- Linjat teknologjike/industriale;
- Pajisjet për shuarjen e zjarrit dhe pajisjet stacionare për shuarjen e zjarrit.
Kategoritë e operatorëve, lloji i pajisjes/instalimit, sipas nivelit të riskut përcaktohen në shtojcën 1, që i bashkëlidhet këtij projektvendimi.
Neni 4
Kufijtë minimalë të përgjegjësisë që mbulohen nga kontrata e sigurimit
- Me qëllim garantimin e mbulimit të dëmeve që mund të shkaktohen ndaj mjedisit, jetës, shëndetit dhe pronës së qytetarëve, kufijtë minimalë të përgjegjësisë do të jenë, si më poshtë vijon:
- Pajisje/impiante në presion me rrezik të ulët 10 (dhjetë) milionë lekë për ngjarje sigurimi dhe 20 (njëzet) milionë lekë në agregat;
- Pajisje/impiante në presion me rrezik të mesëm 20 (njëzet) milionë lekë për ngjarje sigurimi dhe 40 (dyzet) milionë lekë në agregat;
- Pajisje/impiante në presion me rrezik të lartë 35 (tridhjetë e pesë) milionë lekë për ngjarje sigurimi dhe 70 (shtatëdhjetë) milionë lekë në agregat;
- Pajisje/impiante në presion me rrezik shumë të lartë 50 (pesëdhjetë) milionë lekë për ngjarje sigurimi dhe 100 (njëqind) milionë lekë në agregat.
- Kategoritë e operatorëve ekonomikë, që i nënshtrohen detyrimit për t’u pajisur me kontratën e sigurimit të përgjegjësisë civile, mund të kryejnë sigurim edhe mbi kufijtë minimalë, të përcaktuar në pikën 1, të këtij neni.
Neni 5
Parashikime të veçanta
- Të gjitha kategoritë e operatorëve ekonomikë, sipas këtij vendimi, do të jenë përgjegjëse për të përmbushur detyrimin për të lidhur kontratën e sigurimit të përgjegjësisë civile, si dhe për rinovimin e saj pa shkëputje, përgjatë gjithë periudhës së shfrytëzimit të pajisjeve/instalimeve nën presion për të garantuar mbulimin e dëmeve që mund të shkaktohen ndaj mjedisit, jetës, shëndetit dhe pronës së qytetarëve.
- Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe Inspektorati Shtetëror Teknik dhe Industrial për zbatimin e këtij vendimi.