Në Tokio vijojnë vizitat zyrtare të Dhomës Shqiptaro-Japoneze të Tregtisë dhe Industrisë (AJCCI) në Japoni, e udhëhequr nga Presidenti dhe Kryetari i Bordit, z. Avni Ponari.
Kjo mësohet edhe nga vetë profili zyrtar në Facebook i z. Ponari.
Vizita, sipas asaj që vetë Presidenti dhe Kryetari i Bordit të AJCCI ka ndarë me ndjekësit e tij, konfirmon përkushtimin e Dhomës për të zgjeruar bashkëpunimin ekonomik mes dy vendeve dhe për të hapur perspektiva të reja në tregti, investime dhe zhvillim të përbashkët.
Pas takimit të ditës së parë me Presidentin e Dhomës së Tregtisë së Japonisë, z. Kobajashi, turi në ditët që pasuan vijoi me takime të tjera.
Ndër këto takime, një nga momentet kryesore të vizitës, që z. Ponari kishte veçuar, ishte takimi në Ministrinë e Jashtme të Japonisë, ku delegacioni shqiptar u prit nga z. Zei Ichiro Taguchi, ambasador i Ngarkuar për West Balkan Cooperation Initiative (WBCI).
Z. Taguchi, njohës dhe mbështetës i fortë i mekanizmave japonezë të zhvillimit, në takim kishte konfirmuar angazhimin për të forcuar më tej mbështetjen ndaj Shqipërisë, me theks të veçantë në nxitjen e biznesit dhe zhvillimin e projekteve të reja ekonomike.
Delegacioni po ashtu pati zhvilluar takime me z. Ichiro Hara, drejtor në Keidanren – Japan Business Federation, një nga organizatat më të rëndësishme të biznesit në Japoni. Gjatë bisedës, z. Hara kishte shprehur interesin në rritje të kompanive japoneze për tregun shqiptar.
“Në të gjitha takimet, është ndjerë qartë vullneti për një partneritet të ri ekonomik, më të fortë dhe më të qëndrueshëm midis Shqipërisë dhe Japonisë”, raportonte në profilin e tij zyrtar z. Ponari.




