Të gjithë ata që konsiderohen kontigjent shkelësish të rëndë të rregullave të qarkullimit, përsëritës në sjellje që rrezikojnë ata vetë dhe të tjerët në rrugë, pas heqjes së pikëve të patentës, me aktet e reja në fuqi prej mbi një viti tashmë, për të rifituar të drejtën e drejtimit të mjetit, duhet të regjistrohen nga e para në autoshkollë e t’i rinënshtrohen testit teori-praktikë!
Por sipas asaj që raporton DPRRTSH, vetëm 113 persona nga 848 riregjistrime në autoshkollë për shkak të heqjeve të pikëve të patentës, e kanë rifituar lejen e drejtimit gjatë periudhës Qershor 2022-Janar 2024!
“Në seancën e fundit të zhvilluar, nga 25 riregjistrime, u paraqitën 14 kandidatë ku vetëm 2 prej tyre rezultuan fitues!
848 riregjistrime në autoshkolla dhe vetëm 13.3% prej tyre kthehen në rrugë si drejtues mjeti, kësaj here akoma më të përgjegjshëm!
S’KA SHPËTIM përveç RIEDUKIMIT! Koka bën, koka pëson”, shkruan Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimit të Transportit Rrugor.