Valët vdekjeprurëse të të nxehtit po godasin botën në katër kontinente të hemisferës veriore si një shenjë domethënëse se ndryshimet klimatike mund të shkaktojnë temperatura që tejkalojnë ato të verës së kaluar, e cila ishte më e nxehta në 2000 vjet, thotë revista “Nature”.
Temperaturat rekord të ditëve të fundit kanë shkaktuar mijëra viktima.
Vala e të nxehtit në Europë dhe SHBA
Mesdheu është prekur nga temperaturat e larta, të cilat mund të kenë kontribuar në shpërthimin e zjarreve në rajone të ndryshme, nga Portugalia në Greqi dhe përgjatë bregut verior të Afrikës deri në Algjeri.
Në Serbi, sinoptikanët parashikojnë që temperaturat të shkojnë rreth 40°C këtë javë pasi erërat nga Afrika e Veriut krijojnë një front të ngrohtë në Ballkan. Autoritetet shëndetësore shpallën alarmin e kuq dhe këshilluan qytetarët të shmangin daljen nga shtëpitë e tyre.
Në Mali të Zi, autoritetet u kanë kërkuar gjithashtu qytetarëve të qëndrojnë në vende me hije deri në orët e vona të pasdites, dhjetëra mijëra turistë po kërkojnë pak freski në plazhet përgjatë Adriatikut.
Dhe Bregu Lindor i SHBA-së ka regjistruar temperatura ekstreme për të katërtën ditë rresht.
Autoritetet meteorologjike lëshuan dje, të enjten, një paralajmërim për nxehtësi ekstreme në disa zona të Arizonës, përfshirë Phoenix, ku temperatura pritet të shkojë 45.5 gradë Celsius.
Në shtetin fqinj të New Mexico, zjarret kanë shkaktuar dy viktima, kanë djegur më shumë se 93,000 hektarë dhe kanë shkatërruar 500 shtëpi, sipas autoriteteve.
Një total prej afro 100 milionë amerikanë jetojnë në zona për të cilat dje u dhanë paralajmërime për nxehtësinë ekstreme.
Temperaturat e larta pritet të fillojnë të ulen në verilindje të SHBA-së duke filluar nga sot, tha shërbimi i motit, por në Nju Jork dhe shtetet më jugore vapa do të vazhdojë gjatë fundjavës.
Sezoni i verës në Indi zgjat nga marsi deri në maj, kur me fillimin e musoneve temperatura fillon të shënoj rënie. Por të mërkurën, New Delhi regjistroi temperaturën e tij më të lartë në të paktën 55 vjet.
Temperaturat e natës po rriten më shpejt se temperaturat e ditës, sipas një studimi të vitit 2020 nga Universiteti i Exeter. Valët e të nxehtit pasojnë 12 muaj rresht duke qenë më të nxehtat e regjistruara, sipas vëzhguesit të BE-së për ndryshimet klimatike.
Organizata Botërore Meteorologjike thotë se ka një shans 86% që një nga pesë vitet e ardhshme të jetë më i ngrohtë se 2023.
Shkencëtarët vlerësojnë se valët e të nxehtit do të vazhdojnë të intensifikohen nëse bota vazhdon të emetojë gazra serë duke djegur lëndët djegëse fosile.
Nëse temperaturat globale rriten me 2°C në krahasim me kohërat para-industriale, valët e të nxehtit do të ndodhin mesatarisht 5.6 herë në 10 vjet dhe do të jenë 2.6°C më të ngrohta.
Si ndikojnë ndryshimet klimatike në shëndetin tonë?
Me ndryshimin e kushteve klimatike, vërehen ngjarje ekstreme të motit më të shpeshta, duke përfshirë stuhitë, përmbytjet, nxehtësitë ekstreme, thatësirat dhe zjarret.
Këto ngjarje kërcënuese të motit ndikojnë drejtpërdrejt dhe indirekt mbi shëndetin, duke rritur rrezikun e vdekjeve, sëmundjeve jo të transmetueshme, shfaqjen dhe përhapjen e sëmundjeve infektive dhe emergjencave shëndetësore.
Këto ngjarje klimatike shtojnë rrezikun e prekjes nga sëmundjet e frymëmarrjes, ato kardiovaskulare dhe gastrointestinale, së bashku me kërcënime të tjera shëndetësore.
Zjarret kanë efekte akute, si njerëzit që digjen për vdekje, apo që vdesin nga asfiksia për shkak të thithjes të tymit. Përveç kësaj, zjarret e ndotin shumë ajrin, dhe kjo ndotje përhapet shumë përtej zonës së zjarrit.
Ekspozimi ndaj tymit të zjarrit, mund të shkaktojë sëmundje akute dhe kronike të mushkërive dhe të zemrës, pasi lëshon grimca shumë të vogla që hyjnë në mushkëri dhe nga andej në qarkullimin e gjakut.
Temperaturat e sipërfaqes së detit, po rriten për shkak të ndryshimeve klimatike dhe bakteret vibrio që shkaktojnë sëmundje, po përhapen në ujërat më të ngrohta të oqeanit. Vektorët e përhapjes së sëmundjeve si mushkonjat dhe rriqrat, shtohen më shumë mirë në temperatura më të nxehta, duke e rritur potencialisht incidencën e sëmundjeve si Lyme apo Malaria.
Për të vazhduar më tej, është evidentuar tashmë se ndryshimet e klimës ndikojnë në shëndetin mendor. Për shembull, ekspozimi ndaj ngjarjeve ekstreme si përmbytjet, tsunami, dhe të tjera rritin rrezikun për gjendjet e ankthit dhe depresionit. Këto rreziqe dhe efektet e tyre ndryshojnë në varësi të gjendjes shëndetësore të personave.
Organizata Botërore e Shëndetësisë paralajmëron se nëse nuk merren masa të mëdha për të pakësuar emetimet e ngrohjes globale deri në vitin 2030, rreth 250,000 njerëz do të vdesin çdo vit nga efektet e ndryshimit të klimës.
“Çfarë është e mirë për planetin, është e mirë për kujdesin e pacientit”…