Qytetarët dhe sipërmarrësit shqiptarë kanë marrë gati 211 miliardë lekë kredi deri në korrik.
Të dhënat nga Banka e Shqipërisë tregojnë se në raport me janar-korrikun e një viti më parë, huaja e re është zgjeruar me 49 miliardë lekë ose 30.2%.
“Arsyeja kryesore siç është shprehur edhe Banka e Shqipërisë lidhet me kreditë hipotekore për blerje të pasurive të paluajtshme. Ky është sektori kryesor ku po investohet. Ka një rritje gati 7-fish në raport me periudhat e mëhershme”, thotë për A2, eksperti për çështjet ekonomike Selim Blliku.
Të dhënat nga Banka Qendrore tregojnë se për blerje banesash, në 7-mujorin janar-korrik, vetëm për blerje apartamentesh u morën nga bankat plotë 60.6 miliardë lekë kredi. Kjo shumë është sa 28.7% e totalit të huasë së re të dhënë në janar-korrik.
“E gjithë kjo vjen pasi sektori bankar po e konsideron të sigurt kredi-dhënien për apartamente të reja. Gjithashtu ka ndikuar edhe fakti që sistemi bankar ka sot mjaftueshëm likuiditet”, nënvizoi Blliku.
Me ritme edhe më të shpejta se qytetarët, për të hapur biznese të reja apo zgjeruar ato ekzistuese, sipërmarrësit morën gati 150 miliardë lekë kredi në 7 muaj.
“Ritmet e kredisë të re te individët janë domethënëse, por është biznesi ai që mbart peshën kryesore në aktivitetin kreditues. Biznesi, veçanërisht ai i orientuar drejt turizmit është shumë optimist”, u shpreh Selim Blliku, raporton A2.
Duke ndjekur trajektore të ngjashme në thuajse të shtatë muajt, edhe në korrik kredia e re kapi shifrën e 29.3 miliardë lekë kredi e re e dhënë. Në krahasim me korrikun e një viti më parë huaja e re e dhënë muajin e shkuar u zgjerua me gati 7 miliardë lekë apo 30.8%.
LEXO EDHE: A ja vlen kredia pa Sigurimin e Jetës?