Një studim i ri i Universitetit Tsinghua në Kinë paralajmëron se tymrat nga zjarret pyjore mund të shkaktojnë deri në 1.4 milionë vdekje të parakohshme çdo vit në fund të këtij shekulli.
Shkencëtarët llogarisin se rreziku nga grimcat e imëta PM2.5 të prodhuara nga flakët mund të rritet gjashtëfish krahasuar me periudhën 2010-2014, në varësi të nivelit të emetimeve globale të karbonit.
Në Afrikë, vdekjet mund të rriten njëmbëdhjetëfish.
Një tjetër studim i realizuar nga Universiteti Stanford dhe Stony Brook në SHBA parashikon mbi 71,000 vdekje të parakohshme deri në vitin 2050 vetëm në SHBA, nëse emetimet mbeten të larta.
Aktualisht, çdo vit rreth 40,000 amerikanë humbasin jetën për shkak të ekspozimit ndaj tymrave të tillë.
Autorët theksojnë se grimcat PM2.5 hyjnë thellë në mushkëri dhe në gjak, duke dëmtuar shëndetin në mënyrë afatgjatë, veçanërisht tek ata që vuajnë nga astma apo sëmundje të tjera të frymëmarrjes.
Ekspertët theksojnë se kosto ekonomike e këtyre pasojave është e jashtëzakonshme.
Vetëm në SHBA, dëmet mund të arrijnë deri në 608 miliardë dollarë në vit deri më 2050.
Për të ulur rreziqet, studiuesit rekomandojnë jo vetëm reduktimin e emetimeve, por edhe masa përshtatëse si djegiet e kontrolluara në pyje dhe edukimi i qytetarëve për mbrojtje praktike, si mbyllja e dritareve apo përdorimi i filtrave të ajrit.
Sipas tyre, nevojitet përgjigje globale dhe strategji rajonale të koordinuara, pasi tymi i zjarreve nuk njeh kufij shtetërorë.