Rruga është pronë. Si aset publik, edhe rreziku nga rrëshqitja e dherave do të ishte i sigurueshëm. Me të ndodhur dëmi, pa qenë nevoja për shpenzime shtesë nga buxheti i shtetit, kompania siguruese mund ta zhdëmtonte vlerën e nevojshme për rikthim në normalitet të veprës. Po ashtu, siguruesi do ta monitoronte me kujdes duke evidentuar pikat e dobëta me risk më të lartë për veprën, duke i përcjellë edhe rekomandime përkatëse për ndërhyrje mirëmbajtëse. Pse në Shqipëri, me përjashtim të rrugëve koncesionare që e kanë detyrim kontratual, kjo nuk është e mundur?
Arsyet janë tre: standardet e ulëta ndërtimore, shkurtimi i fondeve dhe kultura e ulët e menaxhimit të risqeve.
1. Standardet e ndërtimit
Shumë rrugë nuk plotësojnë standardet teknike që kërkon një kompani sigurimi për ta marrë në mbrojtje si aset gjatë operimit. Kostot e marrjes në sigurim, për shkak të standardeve të ulëta, janë të larta.
2. Problemet teknike dhe mungesat buxhetore
Institucionet arsyetojnë se kostot janë të larta dhe fondet të kufizuara, por një arsye tjetër është më e vërtetë.
3. Menaxhimi i risqeve
Shqipëria vuan nga një kulturë e ulët sigurimi dhe nga një qasje jo e zgjuar në menaxhimin e aseteve publike. Autoriteti rrugor nuk siguron asgjë gjatë operimit të rrugës. Ndryshe nga shumë vende, ku rruga pasi përfundon është e siguruar si çdo pasuri publike.
Një aks shumë i njohur dhe një investim shumë milionësh, Qukës – Qafë Plloçë, pas përurimit dherat dhe një masiv shkëmbor përanash aksit u shembën dhe vepra për disa ditë u bë e papërdorshme, e bllokuar. Rikthimi i saj në normalitet u bë përmesh shpenzimeve shtesë, buxhetore, që rëndojnë mbi taksapagues.
Standarde më të larta ndërtimore, planifikime më të mira buxhetore të zërit të sigurimeve, menaxhim më të mirë të risqeve do të rriste sigurimet e rrugëve dhe do të ulte shpenzimet e paplanifikuara nga taksat e qytetarëve shqiptarë.




