AMF publikon raportin mbi zvillimet e tregut të sigurimeve në Shqipëri për periudhën janar – shtator 2024.
Sipas raportit, të ardhurat nga primet e shkruara bruto të sigurimit për periudhën janar – shtator 2024 kapën vlerën 18,288 milionë lekë, ose 7.36% më shumë se në janar – shtator 2023.
Gjatë 9-mujorit, numri i kontratave të sigurimit të lidhura arriti në 1,177,501 me një rritje prej 7.70% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Tregu mbetet i orientuar tek sigurimet e Jo-Jetës, të cilat sollën 91.92% të vëllimit të përgjithshëm të primeve, ndërsa sigurimet e Jetës kanë 8.05% dhe risigurimi me 0.039%.
Parë nga këndvështrimi i ndarjes së tregut sipas llojit të sigurimit, i detyrueshëm dhe vullnetar, primet e shkruara bruto të sigurimit vullnetar zënë 39.61% dhe primet e shkruara bruto të sigurimit të detyrueshëm zënë 60.39% të totalit të tregut.
Sigurimi Vullnetar
Primet e sigurimit vullnetar, gjatë periudhës janar – shtator 2024 arritën rreth 7,245 milionë lekë, 6.52% më shume se në periudhën janar – shtator 2023. Numri i kontratave të sigurimit vullnetar u rrit me 2.40 % krahasuar me periudhën janar – shtator 2023.
Primet e sigurimit vullnetar të Jo-Jetës gjatë periudhës janar – shtator 2024, patën një rritje me 5.96% kundrejt muajit janar – shtator 2023.
Në portofolin sigurimi nga Zjarri dhe Forcat e Natyrës, gjatë periudhës janar – shtator 2024, vihet re një rritje prej 3.43% e vëllimit të primeve të shkruara bruto të këtij portofoli dhe një rritje me 2.09% e numrit të kontratave të sigurimit, krahasuar me periudhën janar – shtator 2023.
Të ardhurat nga sigurimet e Aksidenteve dhe Shëndetit, gjatë periudhës janar – shtator 2024, arritën në rreth 1,056 milionë lekë, duke shënuar një rritje prej 2.09% në krahasim me periudhën janar – shtator 2023.
Primet nga sigurimet e Jetës gjatë periudhës janar – shtator 2024, arritën rreth 1,471 milionë lekë, ose 9.22% më shumë se në të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Dëmet e Paguara Bruto
Pagesat e dëmeve gjatë periudhës janar – shtator 2024 u rriten me 25.71% krahasuar me janar – shtator 2023. Pjesa më e madhe e dëmeve të paguara bruto i përket sigurimit motorik me rreth 4,549 milionë lekë, apo 73.58% të totalit të dëmeve të paguara bruto.