Tregu i auditimit po shënon rritje të vazhdueshme në vitet e fundit. Në vitin 2022 ky treg arriti në rreth 1.21 miliardë lekë, ose rreth 10.6 milionë euro, sipas të dhënave zyrtare nga Bordi i Mbikëqyrjes Publike (BMP).
Ndërkohë, ky i fundit ka publikuar për të katërtin vit, renditjen në tregun e auditimit për audituesit ligjorë dhe shoqëritë e auditimit sipas totalit të honorareve të auditimit të realizuara dhe numrit të njësive ekonomike të audituara, bazuar në raportimet dhe analizat e realizuara nga BMP për auditimet e kryera gjatë vitit 2022 dhe 2021.
Publikimi i konsoliduar i renditjes, sipas këtyre dy kritereve, është bërë pavarësisht formës juridike të organizimit.
Për të dytin vit radhazi, shoqëria e auditimit “Mazars” është më e madhja në tregun e auditimit, bazuar në totalin e honorareve të realizuara nga shërbimet e auditimit. Pesha e saj e tregut u rrit në 7.74% në 2022, nga 7.19% që ishte vitin e mëparshëm. “Mazars” kryeson renditjen edhe në numrin e njësive ekonomike të audituara me 3.21% (2022) dhe 3.30% (2021).
Në vend të dytë është shoqëria “Ernst & Young Eka – Dega në Shqipëri”, që zë 7.15% të të ardhurave, duke u ngjitur nga pozicioni i katërt i renditur në vitin 2021 me 5.65%.
E treta në renditje mbetet shoqëria e auditimit “Deloitte Audit Albania Shpk”, me 5.55%, duke ruajtur të njëjtën renditje për 2022, por duke shënuar rënie 8% në volumin e të ardhurave të realizuara nga shërbimet e auditimit.
“Grant Thornton”, që kryesoi tregun në vitet 2019 – 2020, në vitin 2021 ka zbritur në vendin e dytë me 6.39% dhe për vitin 2022 renditet e katërta, si shoqëri auditimi me 5.14% të tregut, duke shënuar rënie prej 19.5%.
Kompania e pestë më e madhe është “Kreston Albania shpk”, me 3.86% të totalit, me rritje nga 2.96% që ishte kjo peshë në 2021.
Shoqëria “Edison Lirim Troshani” është hyrje e re në vitin 2022, duke arritur të ketë 1.99% të tregut dhe të zërë vendin e gjashtë.
“PricewaterhouseCoopers Assurance Services SH.P.K.” është në vend të shtatë, njësoj si një vit më parë, me 1.92% të tregut.
“Nexia AL” është ngjitur në vendin e tetë, nga i 14-ti vitin e mëparshëm, pasi ka rritur lehtë peshën e tregut në 1.45%.
Në vend të nëntë dhe të dhjetë renditen përkatësisht “RSM ALBANIA” (1.46%), që është hyrje e re dhe “Aida Maloku” (1.37%).
Burimi: Bordi i Mbikëqyrjes Publike
Në fund të 2022, Tregu i auditimit kishte 242 auditues ligjorë të regjistruar, nga të cilët 152 auditues ligjorë që e ushtrojnë aktivitetin si person fizik, 65 shoqëri auditimi dhe 25 auditues ligjorë të punësuar pranë shoqërive të auditimit.