Distribuesi dixhital Starpeak ka njoftuar rinovimin e marrëveshjes së gjatë të bashkëpunimit me Axa XL UK & Lloyd’s, duke shënuar 10 vjet partneritet në sigurimin për sektorin e sportit dhe argëtimit.
Ky bashkëpunim filloi në prill të vitit 2015, me produkte sigurimi për trajnerë personalë, klube sportive dhe biznese trajnimi.
Në fund të vitit 2017, gama e produkteve u zgjerua duke përfshirë edhe sigurimin e udhëtimeve sportive dhe sigurimin nga aksidentet personale.
Që atëherë, të dyja kompanitë kanë vazhduar të zhvillojnë më tej këto produkte dhe të shtojnë oferta të reja në portofolin e Starpeak, për të përmbushur nevojat në ndryshim të tregut të sportit dhe argëtimit.
Axa XL UK & Lloyd’s ofron kapacitet nënshkrimi për dy markat e drejtuara nga klienti të Starpeak: SportsCover Direct dhe Protectivity.
Për Insurance Today, Andy Brownsell, drejtor komercial i Starpeak, tha:
” Jemi shumë krenarë që po rinovojmë marrëveshjen me Axa XL edhe për një vit tjetër. Ky partneritet i gjatë dhe i vlefshëm ka qenë thelbësor për rritjen tonë. Mbështetja e vazhdueshme nga Axa XL na ofron siguri dhe qëndrueshmëri dhe na inkurajon të investojmë me besim në zhvillimin e produkteve dhe shërbimeve të reja. Ky bashkëpunim mbetet një shtyllë qendrore e strategjisë sonë afatgjatë.”
Paul Thomas, drejtues i sektorit të sportit, medias dhe argëtimit në Axa XL UK & Lloyd’s, shtoi:
“Gjatë 25 viteve që jam marrë me sigurime në këtë fushë, kam parë një ndryshim të madh në sjelljen e blerjes nga klientët. Sot ata gjithnjë e më shumë zgjedhin të blejnë sigurime online. Kjo ka kërkuar qasje të reja dhe zgjidhje inovative në shpërndarjen e produkteve të sigurimit. Starpeak është në ballë të këtij transformimi. Ata kanë ditur të përdorin teknologjinë, përvojën në nënshkrim dhe strategjitë efektive të marketingut për të zgjeruar shpejt rrjetin e klientëve. Ky partneritet ka ndihmuar të dy kompanitë të zhvillojnë produkte që i përshtaten veçantisë së sektorit të sportit dhe argëtimit – një treg që kërkon njohuri të thella dhe produkte cilësore.”