Një tërmet relativisht i fortë është regjistruar mbrëmjen e kaluar në Napoli, gjë që ka bërë qindra qytetarë të largohen nga banesat e tyre në panik dhe ta kalojnë natën në rrugë.
Tërmeti kishte një magnitudë prej 3.8 ballësh Rihter shumë pranë zonës së njohur si Campi Flegrei, teksa lëkundjet u ndjenë të forta në Posillipo, Fuorigrotta e Vomero.
Fatmirësisht, sipas mediave lokale, nuk raportohet për dëme apo të lënduar, ndërkohë që ekipet vijojnë verifikimet në terren.
Ngritja e tokës në zonën Campi Flegrei ka vazhduar që nga viti 2012 dhe shoqërohet vazhdimisht me tërmete, zakonisht me magnitudë më të vogël se 3 ballë.
Sipas sizmologëve, situata në Campi Flegrei pa një krizë të fortë midis 1983 dhe 1984, kur toka u ngrit shumë shpejt dhe fenomeni u shoqërua me rreth 16 mijë tërmete në dy vjet, të shpeshta, por të vogla. Më pas, toka filloi të zhytet në heshtje, pa asnjë tërmet, dhe në vitin 2012 filloi të ngrihej përsëri, shumë më ngadalë.