Një tërmet me magnitudë 4.1 u raportua rreth mesditës së sotme pranë San Benedetto del Tronto, Ascoli Piceno, në rajonin Marche, Itali.
Sipas Qendrës Kërkimore Gjermane për Gjeoshkencat (GFZ), tërmeti u regjistrua në orën 13:18 me orën lokale në një thellësi 10 km.
Goditja e fortë u shoqërua edhe me pasgoditje të tjera sizmike me magnitudë 2.4 dhe një me magnitudë 3.0.
Lëvizja sizmike është ndjerë veçanërisht përgjatë bregdetit Adriatik.
Sipas Departamentit të Mbrojtjes Civile, fatmirësisht nuk ka dëme në njerëz dhe në godina, raportojnë mediat italiane.
Trafiku hekurudhor në linjën Ancona-Pescara është pezulluar përkohësisht, në seksionin midis Pedaso dhe Porto San Giorgio, njofton Trenitalia, duke specifikuar se është në proces kontrolli nga teknikët.