Fondi Monetar Ndërkombëtar (International Monetary Fund) tha në një raport ditën e mërkurë, se tensionet globale mund të prishin investimet jashtë shtetit dhe të çojnë në një humbje afatgjatë, prej 2% të produktit të brendshëm bruto botëror.
Kompanitë dhe politikëbërësit në të gjithë globin, po eksplorojnë mënyra për t’i bërë zinxhirët e tyre të furnizimit më elastikë, duke “lëvizur prodhimin brenda vendit ose në vende të besuara”, paralajmëroi FMN në raportin e saj, duke shtuar se kjo do të çojë në fragmentimin e investimeve të huaja direkte (foreign direct investment, FDI).
FMN-ja vuri në dukje projektligjet e fundit të miratuara, në sfondin e rritjes së tensioneve midis SHBA-së dhe Kinës, siç është Akti i Uashingtonit për çipet dhe shkencën (Washington’s Chips and Science Act). Japonia kohët e fundit, vendosi kufizimet e veta në 23 lloje të pajisjeve të prodhimit të gjysmëpërçuesve, duke iu bashkuar përpjekjeve të SHBA-së, për të frenuar aftësinë e Kinës për të prodhuar çipa të avancuar.
Një studim i fundit i kryer nga Dhoma Amerikane e Tregtisë në Kinë, tregoi në mënyrë të ngjashme një zhvendosje të investimeve të huaja direkte jashtë Kinës. Më pak se gjysma e të anketuarve, e renditën Kinën si tre prioritetet kryesore të investimeve për herë të parë në 25 vjet.
Ekonomistët e FMN-së thanë se paratë tani po rrjedhin në ato që konsiderohen “vende gjeopolitikisht të afërta”. Rritja e “friend-shoring” si praktikë zëvendësuese për “off-shore”, mund të dëmtojë më shumë tregjet më pak të zhvilluara, tha organizata.
“Tregjet në zhvillim dhe ekonomitë në zhvillim, janë veçanërisht të prekura nga aksesi i reduktuar në investime nga ekonomitë e përparuara, për shkak të reduktimit të formimit të kapitalit dhe përfitimeve të produktivitetit nga transferimi i teknologjive dhe njohurive më të mira”, shkruajnë në raport ekonomistët e FMN-së, përfshirë Jae-bin Ahn.
Ky shqetësim vjen me rritjen e tensioneve mes Kinës dhe Shteteve të Bashkuara. Pas një takimi të fundit midis kryetarit të Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA (U.S. House Speaker) Kevin McCarthy dhe presidentit tajvanez Tsai Ing-wen në Kaliforni, Pekini bëri kërcënime, duke u zotuar të ndërmarrë “veprime të vendosura” në përgjigje të “provokimit”.
Ekonomistët e FMN-së shtuan se ekonomitë në zhvillim, janë më të ndjeshme ndaj këtij ndryshimi në investimet e huaja direkte pasi “ato mbështeten më shumë në flukset nga vende gjeopolitikisht më të largëta”.
“Një botë e fragmentuar ka të ngjarë të jetë më e varfër,” shkruajnë ekonomistët e FMN.
I prekshëm nga goditjet
FMN-ja argumenton se ndërsa zinxhirët e furnizimit të “rikonfiguruar” sipas aleancave gjeopolitike, mund të sigurojë përfitime në interesat e sigurisë kombëtare të një vendi dhe avantazh ndaj konkurrentëve, ka edhe pasoja.
Edhe për ekonomitë e zhvilluara, firmat jashtë shtetit që rrisin konkurrencën, “nxitin ndërmarrjet vendase të jenë më produktive”.
Në një botë të fragmentuar me tensione të rritura gjeopolitike, investitorët mund të shqetësohen, se ekonomitë e paangazhuara do të detyrohen të zgjedhin një bllok apo tjetrin në të ardhmen dhe një pasiguri e tillë, mund të intensifikojë humbjet. /CNBC