Një hetim ekskluziv i Reuters ka zbuluar se një kompani sigurimesh e quajtur Maritime Mutual, e bazuar në Zelandën e Re, ka siguruar për vite me radhë anije që transportonin naftë të sanksionuar iraniane dhe ruse.
Sipas hetimit të Reuters ky sigurim transporti ndihmonte në qarkullimin e dhjetëra miliardë dollarëve të energjisë të ndaluar nga Perëndimi.
Kompania, e drejtuar nga britaniku 75-vjeçar Paul Rankin dhe familja e tij, ka siguruar rreth një në gjashtë anije të ashtuquajturës “flota e errët”.
Anijet e kësaj flote ishin cisterna që fshihnin origjinën e ngarkesës përmes dokumenteve dhe vendndodhjeve të falsifikuara.
Maritime Mutual është e risiguruar nga gjigantë risigurimesh në Perëndim, që e komplikon jo pak pozitën dhe e shtrin rrezen e hetimeve.
Autoritetet e Zelandës së Re, e kanë zgjeruar hetimin në bashkëpunim me SHBA, Britaninë dhe Australinë.
Ky është një hetim zyrtar për shkelje të mundshme të sanksioneve dhe pastrim parash.
Përkundër akuzave, kompania mohon çdo shkelje.
Sipas Insurance Journal, kompania është shprehur zyrtarisht se ndjekin “standarde të rrepta të përputhshmërisë ligjore”.
Sipas dokumenteve të analizuar nga Reuters, anijet e siguruara nga Maritime Mutual kanë transportuar që prej vitit 2018 më shumë se 34 miliardë dollarë produkte energjetike iraniane dhe ruse.




