Ende pa e marrë veten nga një prej katastrofave më e rënda e motit të 100 viteve të fundit në Europë, Spanja rrezikon të përballet me një tjetër tragjedi.
Autoritetet spanjolle shpallën alarmin e kuq, gradën maksimale të paralajmërimit të rrezikut në provincën andaluziane të Huelvas në jugperëndim të vendit, ku parashikohet ripërsëritja e të njejtit fenomen të ashpër atmosferik që njihet si Dana.
Që prej orëve të para të kësaj të premteje, ka rënë më shumë se dyfishi i sasisë së reshjeve që bie gajtë muajit. Banorëve vendas u është bërë thirrje të mos dalin nga shtëpitë.
Ndërkaq, numri zyrtar i viktimave të katastrofës së të martës në juglindje të Spanjës ka arritur në 205.
Shumica dërrmuese prej 202 të vdekurish numërohen në rajonin e Valencias, 2 të tjerë në Kastija la Manca dhe një tjetër në Andaluzi.
Megjithatë, të shumtë vijojnë të jenë të zhdukurit, çka paralajmëron rëndimin e bilancit. Mbi 40 mijë shtëpi mbeten ende pa energji elektrike.
Ekipeve të emergjencës u janë bashkangjitur 500 ushtarë shtesë. Po ashtu, mijëra vullnetarë nga i gjithë vendi iu janë bashkuar përpjekjeve për riparimin e dëmeve.