Përmbytje apokaliptike kanë pushtuar jugun e Bosnjes dhe Hercegovinës.
Të paktën 16 persona kanë humbur jetën, ndërsa shumë të tjerë janë lënduar, por të shumtë janë edhe të zhdukurit, çka paralajmëron rëndimin e bilancit tragjik të viktimave.
Situata më e vështirë është në qytezën Donja Jabllanica, rreth 90 kilometra larg Sarajevës, e shtrirë rrëzë një mali. Rrëshqitjet e tokës mbuluan disa ndërtesa dhe shkatërruan rrugët hyrëse.
Për pasojë, operacionet e kërkim-shpëtimit janë të pamundura përmes rrugëve tokësore. Banorët po ndihmohen nga ajri me helikopterë.
Qeveria federale e Bosnje-Hercegovinës shpalli gjendjen e katastrofës natyrore, ndërsa ngriti një shtab emergjencash.
Vendet fqinje si Kroacia, ofruan menjëherë ndihmë në përballimin e situatës, duke dërguar ekipe ndihmëse. Sarajeva kërkoi edhe ndihmë nga Bashkimi Europian për përballimin e situatës.
Banorët thanë për mediat se një situatë të tillë nuk e kishin parë kurrë, ndërsa ekspertët e lidhin me pasojat e ngrohjes globale.
LEXO EDHE: Fatkeqësitë natyrore në rritje/ Top News: Shtëpia, biznesi, makina, mbrojtje e plotë me SIGAL UNIQA