Vendi ynë vijon të jetë i prekur nga temperaturat e larta me disa ditë kur termometri shënoi edhe mbi 40 gradë Celsius.
Por si duhet të mbrohemi nga vapa e madhe?
Kreu i Urgjencës Kombëtare, Skënder Brataj shpjegon të gjitha masat që duhen marrë për t’u kujdesur për shëndetin.
“Kur ndodh ndryshimi i menjëhershëm me shumë gradë është shumë keq, sepse përshtatja do kohën e vet. Sigurisht ne kemi thënë fashat më në rrezik janë të moshuarit dhe fëmijët, por çdo grupmoshë është e prekshme dhe mund të dëmtohet. Ka një rritje të numrit të thirrjeve, por pasoja ka sidomos te pacientët me patologji kronike siç janë ato kardiake. Vetë pompa kardiake, zemra është në vështirësi në kushte normale. Një mbingarkesë e tillë i shkakton pasoja të tjera dhe nëse zgjat mund të rrezikojë dhe jetën”.
3 elementët që vënë në vështirësi organizmin janë: Temperaturat e larta, lagështia e ajrit dhe goditja nga i nxehti.
Për secilën prej tyre, mjeku jep këshillat e tij.
“Organizmi ndesh vështirësi sepse nëpërmjet lëvizjes dhe çdo veprimi që bëjmë prodhojmë energji. Energjia e tepërt duhet të eliminohet, nëpërmjet frymëmarrjes dhe lëkurës kryesisht. Kur temperatura e jashtme është më e lartë se sa e trupit hasen vështirësi. Prandaj na krijohet lodhje e plogështi ngaqë organizmi nuk e eliminon dot energjinë. Kështu vë në vështirësi të gjitha organet e veta. I nxehti i tepërt shkakton zgjerim të enëve të gjakut, sidomos të gjymtyrëve që janë mbajtësit më të mëdhenj të gjakut. Duke i zgjeruar e mban në periferi dhe bie presioni. Gjaku s’shkon në tru, humbasim reflekset, kontrollin…Gjatë rënies mund të pësojmë dhe traumë. E dyta niveli i ujit në ajër! Ne kemi nevojë të thithim oksigjen, jo ujë. Saturimi i ajrit në kushte normale është 36%, me rritjen e temperaturës rritet shumë avullimi i ujit. Ngelet në ajër në formë avulli, ti e thith…”
Ai sugjeron të tregohemi shumë të kujdesshëm me ekspozimin e gjatë në diell, pasi ka pasoja të rënda.
“Përpos djegies, shkaktohen probleme neurologjike. Ekspozimi për gjatë në diell. Kanë të bëjnë me enjtjen e trupit, prandaj këshillohet kapelja, hija. Nëse i rritet madhësia, ngjishet dhe zona që shtypet do ketë shenja e simptoma. Nga dhimbja e kokës, të vjellat, konfuzione, edhe krizë epileptike e deri në humbje koshience. Mund të vendosni garza të lagura, ujë në qafë, në sqetulla ose akull të mbështjellë në një rrobë aty ku kalojnë enët e mëdha të gjakut për të ulur temperaturën e trupit. Që indet të kthehen në normë”.