Çdo individ që ka një pronë që përdoret për aktivitet tregtar në Tiranë, këtë vit e ka të ndarë detyrimin në tre këste.
Pas dy kësteve të para të paguara në fund të muajit prill dhe në fund të muajit qershor, individët do të duhet të paguajnë edhe këstin e tretë deri më datë 30 shtator 2024.
Drejtoria e Përgjithshme e Taksave dhe Tarifave Vendore bën me dije se deri në këtë afat nuk do të aplikohen penalitete dhe kamatëvonesa, por nëse nuk paguajnë në kohë, më pas lindin detyrime të tjera, raporton “Scan”.
Drejtoria e Përgjithshme e Taksave dhe Tarifave Vendore sqaron se metoda e pagesës me tre këste do të aplikohet vetëm për këtë vit, për arsye se çmimet e reja të referencës në kryeqytet ndryshuan në Gusht të vitit 2023, pasi ishin mbyllur periudhat deklarative.
Automatikisht, këtë vit, individët do të paguajnë një vlerë në rritje takse për aktivitetet tregtare për shkak të rritjes së çmimeve të referencës në Tiranë dhe automatikisht të vlerës së tregut për këto njësi.
Bizneset mund të gjenerojnë detyrimin e tyre online përmes të dhënave që kanë për të aksesuar sistemin.
Bashkia Tiranës ka perfomancën më të mirë ndër 61 bashkitë në vend për mbledhjen e taksës së pronës. Në vitin 2023, ajo mblodhi 24 milionë euro nga taksa e ndërtesës, ku përfshihen dhe njësitë e biznesit.
LEXO EDHE: Sigurimi i Pronës së Biznesit/ Mbrojtje nga humbja, dëmtimi apo shkatërrimi