Drejtoresha e Përgjithshme Ekzekutive e Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare (AMF), Mimoza Kaçi zhvilloi takimin përmbyllës të vitit me përfaqësues të medias së shkruar, audiovizive, analistë e gazetarë të njohur.
Në fjalën e mbajtur, Kaçi falenderoi përfaqësuesit e medias për rolin dhe kontributin e tyre në pasqyrimin profesional të aktivitetit të AMF-së dhe tregjeve nën mbikëqyrje gjatë vitit 2024.
Duke bërë një përmbledhje të shkurtër për zhvillimet përgjatë vitit që po mbyllet, Drejtoresha e Përgjithshme Ekzekutive e AMF theksoi se viti 2024 ka qenë pozitiv për ekonominë e vendit në përgjithësi dhe për sektorin financiar, si dhe tregjet nën mbikëqyrjen e Autoritetit.
Viti 2024 ishte një vit shumë intensiv për Autoritetin, sidomos në drejtim të procesit të përafrimit legjislativ me acquis të BE-së. AMF kompletoi të gjithë kuadrin nënligjor në zbatim të ligjit të ri për fondet e pensionit privat dhe gjithashtu draftoi ndryshimet ligjore për ligjin e sigurimeve dhe risigurimeve, të cilat janë në proces për miratim.
Autoriteti hartoi dhe miratoi Rregulloren e Faktorëve të Riskut, që fillon zbatimin nga 1 janari 2025, e cila parashikon aplikimin e primit të diferencuar bazuar në risqet që mbart çdo i siguruar.
Duke u ndalur tek ecuria e tregjeve nën mbikëqyrje, Kaçi theksoi se të gjithë tregjet kanë njohur rritje, si edhe përmirësim të mëtejshëm të treguesve financiarë.
Përmes bashkëpunimit të ngushtë me median, Autoriteti ka mundur të komunikojë me publikun vendimet e marra, të njoftojë ndryshimet rregullative dhe zhvillimet e reja në drejtim të forcimit të mbikëqyrjes së tregut të sigurimeve, të fondeve të investimeve dhe pensioneve private vullnetare, si dhe tregut të kapitalit.
“Çdo lajm, çdo analizë, shkrim apo kronikë televizive që ju keni realizuar ka kontribuar në informimin dhe ndërgjegjësimin e publikut, si dhe në rritjen e transparencës për sistemin financiar“, u shpreh Kaçi në fjalën e saj.
Drejtoresha e Përgjithshme Ekzekutive prezantoi gjithashtu disa nga objektivat e institucionit për vitin e ardhshëm, duke theksuar rëndësinë e projekteve të reja që synojnë thellimin e mëtejshëm të reformave rregullatore, digjitalizimin e shërbimeve, si dhe rritjen e mbrojtjes së konsumatorit dhe investitorit në tregjet nën mbikëqyrje.