Kostot e sigurimit për anijet që kalojnë Detin e Kuq janë thuajse dyfishuar pasi Grupi “Houthi” sulmoi një anije cisternë, shkruan agjencia e lajmeve “Reuters”.
Luftëtarët Houthi, të lidhur me Iranin, filluan sulmet me dronë dhe raketa në rrugë ujore në nëntor në shenjë solidariteti me palestinezët në Gaza. Në më shumë se 70 sulme, ata fundosën dy anije, rrëmbyen një tjetër dhe vranë të paktën tre marinarë.
Javën e shkuar ishte anija-cisternë me flamur grek, Sounio, e cila u sulmua nga raketa të shumta duke e dëmtuar dhe duke shkaktuar edhe ndotje mjedisore për shkak të rrjedhjes të një sasie të madhe nafte.
Burime nga industria e sigurimeve thanë për “Reuters” se primet shtesë të rrezikut të luftës të paguara për anijet që lundrojnë nëpër Detin e Kuq arritën në 0.75% të anijes nga 0.4% para sulmit.
Ndërkohë disa sigurues aktualisht nuk ofrojnë mbulim për të gjithë rajonin për shkak të rrezikut të mundshëm të fundosjes së cisternës.