Këto Krishtlindje parashikohen të jenë më të ftohta në katër dekada në SHBA. Një stuhi e madhe dëbore ka përfshirë një pjesë të kontinentit duke shënuar temperatura të ulëta.
E quajtur “Winter Storm Elliot” dhe e klasifikuar si e kategorisë së tretë, stuhia shënon Krishtlindjet më të ftohta që nga fundi i viteve 1980.
Edhe Florida e cila nuk ka regjistruar temperatura nën zero do të shohë dimrin më të ftohtë në 30 vitet e fundit.
Me erëra deri në 60 km/h filloi në Paqësorin Veriperëndimor dhe pritet t’i drejtohet pjesës lindore të SHBA-ve, sinoptikanët e kanë cilësuar stuhinë si një “ciklon bombë” e cila do të zgjasë gjatë gjithë fundjavës.
Më shumë se 90 milionë njerëz janë nën alarm në 37 shtete. Rreth 80% e vendit pritet të përjetojë temperatura nën zero, duke përfshirë vende deri në jug të Teksasit.
Guvernatorët e Kentakit dhe Karolinës së Veriut kanë shpallur gjendje të jashtëzakonshme. Denveri parashikohet të përballet me temperaturat më të ulëta ndonjëherë deri në -20 gradë Celsius.
Në Çikago dëbora mund të arrijë në mbi 1 metër dhe do të ketë erëra të fuqishme të ftohta deri në 80 km/h.
Moti i ashpër ka detyruar Administratën Federale të Aviacionit që të anulojë një pjesë të fluturimeve nga Denveri dhe Çikago.
Stuhia e dëborës pritet të godasë edhe një pjesë të madhe të Kanadasë me temperatura shumë të ulëta.