9.5 C
Tirana
Thursday, November 21, 2024
spot_img
Faqe KryesoreLajmeAktualitetStadiumi "Air Albania" ndryshon emër/ Ja kriteret dhe përfitimet për kompanitë që...

Stadiumi “Air Albania” ndryshon emër/ Ja kriteret dhe përfitimet për kompanitë që aplikojnë

Kanë rinisur procedurat për emrin e stadiumit kombëtar të Shqipërisë, i quajtur aktualisht me emrin komercial “Air Albania”.

Stadiumi i quajtur dikur “Qemal Stafa” u rikonstruktua pesë vite më parë dhe siç e parashikon kontrata, emri i vendoset përmes një procesi publik me oferta nga kompani që plotësojnë disa kritere.

Njoftimi dhe kriteret për kompanitë që aplikojnë:

Të drejtat e emërtimit për Stadiumin Kombëtar, ofrojnë një platformë unike, për të përforcuar dukshmërinë, rritjen e popullaritetit të markës tuaj dhe për të angazhuar një audiencë shumë të gjerë dhe të apasionuar.

Partneri i suksesshëm do të përfitojë nga:

– Ekspozimi i gjerë mediatik:

Stadiumi pret aktivitete me profil të lartë, përfshirë ndeshjet e futbollit të ekipeve kombëtare, ndeshjet kombëtare me profil të lartë, garat ndërkombëtare sportive dhe ngjarjet kulturore, duke tërhequr një mbulim të konsiderueshëm mediatik brenda dhe jashtë vendit.

– Integrimi dhe prezantimi i dukshëm i markës:

Integrim i plotë i markës brenda stadiumit, përfshirë tabela të dukshme, ekrane digjitale dhe marka në bileta, tabela në flesh zona, sallat e konferencave të shtypit dhe zonat mix (ku zhvillohet i gjithë proçesi i intervistave të cilat transmetohen jo vetëm live gjatë zhvillimit të eventit, por edhe më pas në të gjitha edicionet informative, në emisionet e tjera, që i bëjnë jehonë eventit). Kjo garanton shikueshmëri të lartë dhe siguron dukshmëri të gjerë të markës.

– Angazhimi digjital dhe në mediat sociale:

Angazhim me një komunitet shumë të madh online, përmes kanaleve digjitale të stadiumit dhe sidomos atë të FSHF dhe ekipit kombëtar, përfshirë përmbajtje të bashkë-markuar dhe aktivitete interaktive me tifozët.

– Mundësi Ekskluzive të Sponsorizimit dhe Paketat e Mikpritjes:

Shijoni paketa VIP, akses në vendet premium dhe mundësi për të organizuar evente korporative, duke ofruar një mjedis unik për rrjetëzim dhe argëtim klientësh.

– Iniciativa të komunitetit dhe përgjegjësisë sociale:

Lidhuni me komunitetin lokal përmes përfshirjes në programe për zhvillimin e të rinjve, projekte sportive të nivelit bazë dhe aktivitete të tjera të fokusuara në komunitet, duke demonstruar përkushtimin tuaj ndaj përgjegjësisë sociale.

– Përfitimet e partneritetit afatgjatë:

Një marrëveshje afatgjatë ofron dukshmëri të vazhdueshme të markës dhe lidhje me trashëgiminë e stadiumit. Në fund të fundit, stadiumi është një pjesë e rëndësishme e historisë dhe sa më afatgjatë të jetë bashkëpunimi aq më shumë rritet vlera e emrit. Kjo siguron përfitime të vazhdueshme të marketingut dhe duke përforcuar pozicionin e markës tuaj në sektorët sportiv dhe kulturor.

Paraqitja e Shprehjes së Interesit

Palët e interesuara janë të ftuara të dorëzojnë një Shprehje Interesi brenda datës 30 Nëntor 2024 e cila të përfshijë:

Profili i Kompanisë: Një përmbledhje e shkurtër e organizatës, përfshirë përvojën dhe arritjet përkatëse.

Kontaktin: Ju lutemi të siguroni të dhënat e kontaktit të përfaqësuesit ligjor të kompanisë dhe referencave kryesore të përfshira në këtë projekt.

Përmbledhje e vizionit dhe objektivave të markës: Një përmbledhje e vizionit të markës dhe objektivave të komunikimit, duke shpjeguar se si ky partneritet përputhet dhe përmirëson strategjinë tuaj të përgjithshme të markës.

Përmbledhje e propozimit: Një përmbledhje e nivelit të lartë të partneritetit të propozuar për të drejtat e emërtimit, përfshirë objektivat kryesore, strategjitë për shfrytëzimin e partneritetit dhe çdo ide inovative për aktivizim.

Oferta financiare: Një propozim financiar indikativ që përshkruan kushtet e investimit për të drejtat e emërtimit.

Informacion shtesë: Çdo informacion shtesë që mbështet propozimin, si raste studimore të sponsorizimeve të mëparshme etj.

Vlerësimi i propozimeve

Dorëzimet do të vlerësohen bazuar në këto kritere:

– Përputhja me vlerat dhe vizionin e Stadiumit Kombëtar dhe të Federatës Shqiptare të Futbollit.

– Aftësia e propozuesit për të maksimalizuar vlerën e partneritetit të të drejtave të emërtimit.

– Përkushtimi financiar dhe kushtet e propozuara.

– Krijimtaria dhe inovacioni në strategjitë e propozuara të aktivizimit.

Ju lutemi të paraqisni propozimet tuaja në format elektronik në [email protected] brenda datës 30 nëntor 2024. Për çdo pyetje ose informacion të mëtejshëm, jeni të lutur të na kontaktoni në [email protected].

spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

REKLAME

spot_img

Me te lexuarat