Një ndeshje para fundit, në Grupin B1, tre ekipe janë në garë për vendin e parë, Çekia, Gjeorgjia dhe Shqipëria, ndërsa vetëm Ukraina është jashtë, nuk mund të luftojë për vendin e parë.
Gjithashtu, tre ekipe, Gjeorgjia, Shqipëria dhe Ukraina, mund të zbresin një kategori më poshtë, në varësi të ndeshjeve të fundit, për këtë arsye të katër ekipet futen në fushë në ndeshjen e fundit për të fituar, për të synuar kreun e grupit, apo për të mos zbritur në ligë më poshtë.
Me 8 pikë, Çekia kryeson grupin B1, në ndeshjen e fundit pret Gjeorgjinë e cila ndodhet në vendin e dytë me 7 pikë. Çekisë mund t’i mjaftojë edhe një pikë, por duhet që Shqipëria të mos fitojë përballë Ukrainës.
Me 7 pikë, kuqezinjtë ndodhen në vendin e tretë, në ndeshjen e fundit presin në kryeqytet Ukrainën. Shqipërisë i duhet fitorja me çdo kusht, por për të kapur kreun e grupit duhet që takimi tjetër Çeki-Gjeorgji të përfundojë në barazim.
Në rastin më të keq, nëse nuk fitojmë përballë Ukrainës, duhet me çdo kusht të mos humbasim. Ky është varianti më i erret pasi një humbje ndaj Ukrainës na zbret një Ligë më poshtë, në një kohë kur Ukraina ndodhet me 5 pikë, 2 më pak se Shqipëria.
Nëse Shqipëria e mbyll grupin në vendin e dytë, atëherë do të luajë në “play-off” me vendet e treta të Ligës A për të synuar ngjitjen në Ligën A, në të kundërt do të qëndrojë në Ligën B, ky është si një bonus i dytë.
Nëse Shqipëria e mbyll në vendin e tretë, atëherë do të luajë “play-out” me ekipet e dyta të Ligës C, ku do të vendoset do të qëndrojë në Ligën B apo do të zbresim në Ligën C, ky rregull i ri është aplikuar për herë të parë në këtë edicion të Ligës së Kombeve.