30.5 C
Tirana
Tuesday, June 17, 2025
spot_img
Faqe KryesoreKryesore"Solvency II", nxitësi për investimet ekonomike në BE/ Koment nga Kristiano Borean

“Solvency II”, nxitësi për investimet ekonomike në BE/ Koment nga Kristiano Borean

Kristiano Borean është kryetari i Komitetit për Ekonomi dhe Financa në Insurance Europe dhe njëherësh drejtori i Përgjithshëm Financiar i Grupit “Generali”

Një nga përparësitë kryesore të Komisionit të ri Evropian është nxitja e rritjes ekonomike.

Krijimi i Unionit të Kursimeve dhe Investimeve (SIU) përfaqëson një iniciativë strategjike për të forcuar konkurrueshmërinë afatgjatë të Evropës.

Sektori evropian i sigurimeve e ka mirëpritur këtë nismë, duke theksuar rolin vendimtar që ka rregullimi për të arritur objektivat e SIU-së.

Lirimi i kapitalit të tepërt prudencial* për të mundësuar investime më produktive, së bashku me thjeshtimin e barrës administrative, është thelbësor për të rritur konkurrueshmërinë globale të tregjeve evropiane.

* Kapitali prudencial është kapitali minimal që një institucion financiar duhet të mbajë për të mbuluar rreziqet që merr përsipër (shënim i përkthyesit)

Nxitja e investimeve në BE: çështje kyçe në rishikimin e Solvency II**

Rishikimi i Direktivës Solvency II në Nivelin 1 është një hap i rëndësishëm drejt realizimit të ambicieve të SIU-së.

Me publikimin e Direktivës në janar, është arritur një etapë vendimtare për të liruar kapitalin e tepërt prudencial dhe për ta drejtuar atë drejt investimeve më të dobishme.

Tani është thelbësore që Aktet e Deleguara në Nivelin 2 të përfundohen me efektivitet, duke ruajtur arritjet e Nivelit 1 dhe, kur është e mundur, duke i përmirësuar më tej.

Ka tre fusha kyçe ku investimet nga siguruesit do të jenë thelbësore në vitet që vijnë, dhe që duhet të merren në konsideratë gjatë finalizimit të kornizës së Solvency II:

**Solvency II është një kornizë rregullatore e Bashkimit Evropian që zbatohet për kompanitë e sigurimeve dhe risigurimeve, dhe që ka për qëllim të sigurojë stabilitetin financiar, mbrojtjen e të siguruarve dhe funksionimin korrekt të tregut të sigurimeve në BE (shënim i përkthyesit).

1. Roli i siguruesve si investitorë institucionalë

Siguruesit tradicionalisht kanë shërbyer si investitorë institucionalë afatgjatë dhe të qëndrueshëm, duke menaxhuar me përgjegjësi kursimet dhe fondet e pensioneve të klientëve.

Një pjesë e konsiderueshme e këtyre aseteve investohet në obligacione shtetërore dhe korporatash, që ofrojnë siguri dhe kontribuojnë në financimin e sektorit publik dhe privat.

Një mekanizëm kyç brenda Solvency II që mbështet këtë rol është Rregullimi i Paqëndrueshmërisë (Volatility Adjustment), që zbut ndikimin e luhatjeve afatshkurtra të tregut në bilancet e siguruesve.

Rishikimi i fundit i Direktivës ka përmirësuar efikasitetin e këtij mekanizmi.

Megjithatë, kalibrimet e ardhshme në Nivelin 2, sidomos ato që lidhen me parametrin Risk Correction, duhet të jenë po aq të forta, veçanërisht në kushte stresi ekstrem apo zgjerimi të diferencës së interesave.

Një kalibrim i saktë, i mbështetur në një metodologji të bazuar në të dhëna empirike, është thelbësor që siguruesit të vazhdojnë të luajnë rolin e tyre si investitorë kryesorë në ekonominë evropiane.

2. Investimet kyçe në inovacion, kërkim dhe teknologji të reja

Në një treg global që evoluon me shpejtësi, investimi në inovacion, teknologji të reja dhe zhvillim produktesh është jetik për të ruajtur avantazhin konkurrues të Evropës.

Korniza e re e Solvency II, që mundëson lirimin e kapitalit të tepërt dhe të kujdesshëm, është një hap pozitiv drejt nxitjes së këtyre investimeve me vizion afatgjatë.

Megjithatë, nevojiten përmirësime të mëtejshme, si ulja e Risk Margin përmes rregullimeve më të sakta në Nivelin 2 dhe thjeshtimi domethënës i kornizës rregullatore dhe raportimit.

Ulja e kompleksitetit të panevojshëm do të mundësonte rialokimin e burimeve financiare dhe njerëzore drejt rritjes dhe inovacionit.

Një shembull konkret i barrës së tepruar rregullatore është raporti Solvency and Financial Condition Report (SFCR).

Fillimisht i konceptuar për të ndihmuar publikun të kuptojë shëndetin financiar të një siguruesi, ky raport është kthyer në një dokument tepër kompleks, që rrallëherë lexohet nga audienca e synuar.

Zëvendësimi i tij me një përmbledhje ekzekutive të shkurtër dhe miqësore për përdoruesin do të rrisë qartësinë për mbajtësit e policave, duke ruajtur njëkohësisht transparencën për ata që kërkojnë më shumë detaje.

3. Investime në asete alternative, infrastrukturë dhe projekte të qëndrueshme

Kollona e tretë strategjike ku kapitali i liruar nga rishikimi i Solvency II duhet të orientohet është zgjerimi në një spektër më të gjerë instrumentesh financiare.

Për siguruesit, diversifikimi i portofolit dhe rritja e potencialit të fitimit është thelbësore për të përmbushur detyrimet ndaj mbajtësve të policave dhe palëve të interesuara.

Kjo përfshin angazhim më të madh në kapitalin sipërmarrës (venture capital), që nxit inovacionin përmes mbështetjes direkte të startupeve me potencial të lartë, si dhe investime në private equity dhe projekte infrastrukturore afatgjata.

Këto strategji jo vetëm që ofrojnë kthime tërheqëse, por gjithashtu gjenerojnë vlera të mëdha shoqërore përmes financimit të projekteve që ndikojnë pozitivisht në zhvillimin infrastrukturor, transformimin dixhital dhe inovacionin e orientuar nga qëndrueshmëria.

Këto investime kontribuojnë ndjeshëm në ekonominë reale duke mbështetur punësimin, produktivitetin dhe rritjen gjithëpërfshirëse e të qëndrueshme.

Solvency II si levë për rritjen ekonomike

Rishikimi i Solvency II përbën një levë strategjike për të avancuar agjendën ekonomike dhe investuese të Evropës.

Përmes rregullimeve të kalibruara mirë, thjeshtimit të detyrimeve të raportimit dhe nxitjes së diversifikimit në klasa inovative të aseteve, sektori i sigurimeve është i pozicionuar për të rritur konkurrueshmërinë e tij dhe për të shërbyer si një motor zhvillimi për mirëqenien afatgjatë dhe lidershipin ekonomik të Evropës në skenën globale.

spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

REKLAME

spot_img

Me te lexuarat