Shoqata e Siguruesve të Shqipërisë zhvilloi një takim pune të dedikuar për sigurimin nga katastrofat natyrore, me pjesëmarrjen e ekspertëve ligjorë dhe të zhvillimit të tregut nga kompanitë e sigurimeve.
Diskutimi u përqendrua në nevojën për një qasje të re dhe gjithëpërfshirëse ndaj menaxhimit të rrezikut natyror, duke u mbështetur në praktikat më të avancuara ndërkombëtare.
Sigurimi u vlerësua si një instrument thelbësor për mbrojtjen financiare të individëve, bizneseve dhe vetë ekonomisë, sidomos përballë ngjarjeve natyrore me pasoja të mëdha.
Pjesëmarrësit theksuan rëndësinë e qartësisë në komunikim dhe domosdoshmërinë për ta bërë rolin e sigurimit të kuptueshëm për publikun e gjerë.