15.5 C
Tirana
Friday, November 22, 2024
spot_img
Faqe KryesoreLajmeAktualitetSigurimet po "mposhtin" pandeminë/ Primet në rritje me 11.5% krahasuar me 2019

Sigurimet po “mposhtin” pandeminë/ Primet në rritje me 11.5% krahasuar me 2019

Ndikimi i pandemisë në tregun e sigurimeve duket drejt tejkalimit të plotë.

Rritja e primeve të shkruara bruto u përmirësua më tej në muajin gusht, duke arritur në 19.3% me bazë vjetore, nga 18.6% që kishte qenë rritja në fund të muajit korrik. Sipas të dhënave nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF), tregu i është kthyer ritmeve normale të rritjes organike të parakrizës. Primet e shkruara bruto për 8-mujorin 2021 rezultojnë në rritje me 11.5% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2019, viti para fillimit të pandemisë.

Ritmet më të larta të rritjes këtë vit po i shfaq tregu i sigurimit të jetës, ku primet e shkruara bruto u zgjeruan me 29.3% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Kjo ka sjellë edhe një rritje të lehtë të këtij segmenti në strukturën e tregut të sigurimeve, në 7.13% të primeve të shkruara bruto, nga 6.56% që zinte një vit më parë. Këtu ka ndikuar kthimi i disa produkteve që ishin paralizuar gjatë vitit të kaluar nga pandemia. Sidoqoftë, kolona kryesore edhe këtë vit ngelet sigurimi i jetës së debitorit, që përbën 68% të primeve për këtë segment të tregut. Primet e shkruara bruto nga ky produkt janë rritur me 33% këtë vit, falë zgjerimit të lartë të kredisë bankare për blerjen e pasurive të paluajtshme.

Edhe në tregun e jo-jetës shumica e produkteve janë në përmirësim të ndjeshëm krahasuar me një vit më parë. Norma më e lartë e rritjes këtë vit po vërehet në produktet kryesore të sigurimit vullnetar. Në sigurimin nga zjarri dhe fatkeqësitë natyrore primet e shkruara bruto janë rritur me 44.1%. Edhe në këtë produkt, në një pjesë të madhe rritja lidhet me kredinë për banesa dhe me sigurimin e detyrueshëm të pronave të lëna si kolateral.

Rritja e çmimit të pronave dhe rritja e vlerës së kredive në mënyrë të tërthortë po jep një impakt pozitiv edhe në tregun e sigurimeve në vend. Rritje të konsiderueshme, me 29%, për këtë vit po shënon edhe sigurimi vullnetar Kasko i automjeteve. Edhe kjo rritje në një masë të madhe lidhet me tejkalimin e efekteve të pandemisë dhe riaktivizimin e biznesit të automjeteve me qira. Flota e mjeteve të këtyre kompanive zakonisht është e mbuluar me sigurim Kasko. Në përgjithësi, ky detyrim aplikohet për të gjitha automjetet e reja që shiten nëpërmjet qirasë financiare, si kërkesë e kompanisë që financon blerjen.

Sigurimet e detyrueshme motorike për përgjegjësitë ndaj palëve të treta ngelen dominuese, por pesha e tyre ka rënë lehtë këtë vit në 64.7%, nga 66.6% që ishte vitin e kaluar. Produktet me normën më të lartë të rritjes janë sigurimi kufitar me 156% dhe kartoni jeshil me 27%. Kjo rritje është e lidhur direkt me hyrjen e më shumë mjeteve nga jashtë vendit, falë lehtësimit të ndjeshëm të lëvizjes krahasuar me vitin 2020.

Në numër kontratash, tregu ende nuk i ka arritur nivelet e vitit 2019. Për 8-mujorin 2021, kompanitë e sigurimit raportuan 745 mijë kontrata të lidhura, në rritje me 4.7% krahasuar me një vit më parë, por në rënie me 15.8% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2019.

Boshllëku me periudhën përpara pandemisë vjen kryesisht nga numri i kontratave të sigurimit të shëndetit dhe aksidenteve në udhëtim. Pas heqjes së vizave me shtetet e zonës Schengen, kjo policë si rregull kërkohej nga autoritetet kufitare në Shqipëri para nisjes. Por, pas pandemisë, vëmendja është zhvendosur tek kërkesat e lidhura me pandeminë, si testet PCR apo certifikatat e vaksinimit dhe polica e sigurimit të shëndeteve dhe aksidenteve në udhëtim përgjithësisht nuk kërkohet më. Nga momenti që ajo nuk perceptohet më si detyrim, shumica e shqiptarëve që udhëtojnë jashtë nuk duken të interesuar për ta kryer këtë sigurim në formë vullnetare.


Burimi: AMF

spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

REKLAME

spot_img

Me te lexuarat