Koment nga Petra Hielkema. Znj. Pietra Hielkema është kryetare e EIOPA-s. EIOPA është Autoriteti Evropian i Sigurimeve dhe Pensioneve Profesionale (në anglisht: European Insurance and Occupational Pensions Authority).
Sigurimi luan një rol shumë të rëndësishëm në ndihmën që u jep individëve, familjeve dhe bizneseve për të përballuar sfidat e papritura të jetës – si aksidentet rrugore, fatkeqësitë natyrore apo urgjencat shëndetësore.
Në formën e tij më të mirë, sigurimi jep qetësi mendore dhe mbështetje financiare për t’u rimëkëmbur.
Por, për shumë njerëz në Europë, sigurimi i duhur mbetet i paarritshëm.
Kjo ndikon negativisht në shoqëri dhe ekonomi – si, për shembull, punëtorët e ekonomisë së lirë pa sigurim të të ardhurave, bizneset e vogla të ekspozuara ndaj rreziqeve klimatike apo banorët e zonave rurale që nuk përballojnë dot prime të larta.
Për të mbuluar këto boshllëqe, duhet të ndryshojmë.
Duhet të përdorim më mirë të dhënat, të përqafojmë risitë me përgjegjësi dhe të rishikojmë mënyrën si ndajmë rreziqet – në mënyrë të drejtë dhe gjithëpërfshirëse.
Strategjia dixhitale e EIOPA-s thekson nevojën për të balancuar inovacionin me përfshirjen financiare dhe qëndrueshmërinë e modeleve të biznesit.
Rëndësia e ndarjes së rrezikut (mutualizimit)
Një nga parimet më të qëndrueshme të sigurimit është ndarja e rrezikut – pra, që rreziku menaxhohet më lehtë kur shpërndahet mes shumë njerëzve.
Ky parim e bën sigurimin më të përballueshëm, sidomos për ata me rrezik të lartë që ndryshe do të përjashtoheshin.
Por përdorimi i madh i të dhënave dhe teknologjisë e vë në presion këtë model.
Me saktësinë e re në vlerësimin e rrezikut, sigurimet po bëhen gjithnjë e më të personalizuara.
Kjo mund të sjellë eficiencë dhe produkte më të përshtatshme, por edhe rrezikun që grupi i sigurimit të ndahet – duke favorizuar me prime më të ulëta individët me rrezik të ulët dhe duke përjashtuar ata me rrezik më të lartë.
Është e rëndësishme të sigurohet që personalizimi të mos dobësojë mbrojtjen kolektive. Sfida është të përdorim mjetet e reja pa shkatërruar themelet e sigurimit.
Përdorimi me përgjegjësi i të dhënave
Nëse përdoren me përgjegjësi, të dhënat mund të përmirësojnë përfshirjen sociale dhe ndikimin e sigurimit.
Ato ndihmojnë kompanitë të kuptojnë më mirë nevojat e klientëve dhe të krijojnë produkte që u përgjigjen këtyre nevojave. Për shembull:
-
Të dhënat klimatike ndihmojnë sigurimin bujqësor për fermerët e vegjël.
-
Të dhënat mbi punësimin ndihmojnë në ndërtimin e sigurimeve të ardhurash për punëtorët e pavarur.
-
Të dhënat e sigurta shëndetësore mund të bëjnë sigurimet më të përballueshme dhe të ndihmojnë në parandalimin e sëmundjeve.
Prandaj, EIOPA po punon me kornizën për qasjen në të dhëna financiare (FIDA) dhe iniciativën Open Insurance.
Qëllimi është ndarja e standardizuar dhe e sigurt e të dhënave, duke ruajtur besimin e konsumatorit.
Qytetarët duhet të jenë të sigurt se të dhënat e tyre trajtohen në mënyrë etike dhe të pastër.
Sektori duhet të ketë përparësi përfshirjen dhe aksesin në sigurime.
EIOPA ka krijuar një grup ekspertësh për përdorimin e të dhënave në sigurime.
Ky grup përfshin aktorë të ndryshëm që po punojnë për të përcaktuar rregulla të qarta për përdorimin e drejtë, gjithëpërfshirës dhe inovativ të të dhënave – duke mbrojtur gjithashtu parimin e ndarjes së rrezikut.
Roli i inovacionit
Nuk ka dyshim që inovacioni është i domosdoshëm.
Rreziqet po ndryshojnë, dhe modelet tradicionale nuk mjaftojnë për sfidat e reja.
Ndryshimet klimatike, rreziqet dixhitale dhe lëvizjet demografike kërkojnë qasje të reja.
Inovacioni mund të zgjerojë aksesin në sigurime në disa mënyra:
-
Produkte fleksibël për ata me të ardhura të paqëndrueshme
-
Ulje të kostove të trajtimit të dëmeve
-
Modele më të sakta për detyrimet afatgjata
-
Përdorimi i automatizimit dhe teknologjive parametrike për pagesa të shpejta
-
Platforma dixhitale për të rritur kuptimin dhe përfshirjen e konsumatorëve në menaxhimin e rrezikut
Inovacioni nuk ka të bëjë vetëm me teknologjinë – por edhe me mendësinë.
Do të thotë të jesh i hapur ndaj bashkëpunimit dhe të vësh në qendër interesat e konsumatorëve.
Po ashtu, duhet të kemi kujdes ndaj atyre që mbeten pas në procesin e dixhitalizimit.
Për të ardhmen
Me bazat për një Europë dixhitale dhe financë dixhitale tashmë të vendosura, kemi një mundësi të vërtetë për të ndryshuar të ardhmen e sigurimit nëpërmjet inovacionit.
Prioritetet kryesore janë:
-
Të mbrojmë parimin e ndarjes së rrezikut edhe kur personalizimi rritet
-
Të përdorim të dhënat në mënyrë etike dhe transparente
-
Të kemi fokus në ndikimin social të sigurimeve, sidomos për përjashtimet financiare
-
Të kuptojmë se konsumatori i epokës dixhitale kërkon një qasje të re
Të vendosim njerëzit në qendër
Në thelb, sigurimi ka të bëjë me njerëzit – për t’i ndihmuar të përballojnë pasiguritë, të ndërtojnë qëndrueshmëri dhe të jetojnë me besim.
Kur inovacioni fokusohet te zgjerimi i aksesit dhe përmirësimi i mbrojtjes, sigurimi bëhet më i zgjuar dhe më i drejtë.
Ndërsa sektori i sigurimeve evoluon, duhet të sigurohemi që risitë të zgjerojnë rrjetën e sigurisë, jo ta ngushtojnë.
Inovacioni duhet të jetë urë për përfshirje, dhe të dhënat duhet të fuqizojnë – jo të përjashtojnë.
Vetëm së bashku mund të ndërtojmë një sistem sigurimesh që i shërben të gjithëve në Europë.