Tregu i sigurimeve të Jo-Jetës në Shqipëri ka shënuar një rritje prej 10.10% gjatë nëntëmujorit të parë të vitit 2025, duke arritur në 18.5 miliardë lekë në prime të shkruara bruto, sipas të dhënave të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare (AMF).
Rritjen më të madhe e kanë regjistruar sigurimet e përgjegjësive motorike ndaj palëve të treta, me 12.96% më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Brenda këtij grupi, sigurimet MTPL të brendshme janë rritur me 13.92%, kartonat jeshilë me 11.07%, ndërsa sigurimet kufitare kanë shënuar një rënie të lehtë prej 1.58%.
Në rritje rezultojnë edhe sigurimet e mjeteve të tjera tokësore me 10.56%, sigurimi i sëmundjeve me 7.41% dhe sigurimi i garancive me 6.53%.
Rritje më të moderuar kanë regjistruar sigurimi nga zjarri dhe forcat e natyrës (+3.99%), përgjegjësitë civile të përgjithshme (+3.91%), përgjegjësia civile e anijeve (+1.21%) dhe sigurimet e dëmtimeve të tjera në pronë (+0.71%).
Në anën tjetër, rënie kanë pësuar disa kategori të tregut:
sigurimi i përgjegjësisë së avionëve ka shënuar uljen më të ndjeshme me -32.39%,
ndjekur nga sigurimi i anijeve (-29.5%),
sigurimi i mallrave në transport (-7.97%) dhe
sigurimi i aksidenteve (-2.7%).
Të dhënat e AMF-së tregojnë se pavarësisht luhatjeve në disa segmente, tregu i sigurimeve të Jo-Jetës vijon trendin pozitiv të zgjerimit, i udhëhequr kryesisht nga rritja e kërkesës për sigurimet motorike dhe ato të shëndetit.




