Ka ndërruar jetë shkrimtari i madh shqiptar Ismail Kadare.
Mësohet se Kolosi i letrave shqipe ka vdekur në urgjencën e Tiranës, në moshën 88-vjeçare.
Kandidati për Nobel në Letërsi, njihet si një ndër shkrimtarët më të mëdhenj bashkëkohorë, ai shquhet kryesisht për prozë, por kontributi i tij shtrihet edhe në dramaturgji, poezi dhe përkthime.
Ismail Kadare nisi të shkruajë kur ishte ende i ri, fillimisht poezi, me të cilat u bë i njohur, e më pas edhe prozë, duke u bërë prozatori kryesor shqiptar. Deri më sot veprat e tij janë përkthyer në rreth 45 gjuhë të ndryshme, duke qenë kështu përfaqësues kryesor i letërsisë shqipe nëpër botë.
Ai është nderuar me shumë çmime ndërkombëtare, mes të cilëve Çmimin “Man Booker International” më 2005, çmimin “Princi i Asturias” për Artet më 2009 dhe Çmimin “Jeruzalem” më 2015.
Vitet e fundit ai e ndahu kohën mes Francës dhe Shqipërisë.