Projektligji i qeverisë për “Për sigurimin e detyrueshëm të banesave nga tërmetet” vijon të jetë temë diskutimesh në panelet e ekspertëve.
Por krijimi një kompanie shtetërore, vlerësohet si një cënim i konkurrencës në treg teksa Shqipëria prej disa vitesh e ka liberalizuar tregun e sigurimeve duke patur 8 kompani, të cilat prej vitesh ofrojnë paketa sigurimi për qytetarët.
“A mos po i rikthehemi shtetëzimit të shërbimeve, me një projekt të tillë, kur ndërkohë kemi një treg të liberalizuar”?, ngre pyetjen Mimoza Hajdarmataj , Sekretare e Përgjithshme e Shoqatës së Siguruesve të Shqipërisë.
Sipas saj, në draftligjin e prezantuar nga qeveria, nuk ka asnjë përfshirje të kompanive private, se cili do të jetë roli i tyre në këtë proces.
“Ne kemi kundërshtimet tona për këtë nismë. Mendojmë se shteti është mbikëqyrës dhe rregullator dhe jo aktor në një treg që konsiderohet i konsoliduar prej vitesh”, u shpreh në një intervistë për “Vizion Plus”, Mimoza Hajdarmataj.
Por përse Shoqata e Siguruesve të Shqipërisë e kundërshton këtë projektligj?
Më poshtë gjeni të parashtruar në mënyrë të përmbledhur disa prej këtyre kundërshtive:
- Projektligji parashikon një skeme tërësisht shteterore të sigurimit të detyrueshëm nga tërmetet, që nuk e ka asnjë prej vendeve të Bashkimit Evropian (materiali bashkëlidhur kësaj shkrese). Edhe në Turqi apo Rumani (vende reference në relacionin shpjegues të projektligjit), skema nuk është terësisht shtetërore, pasi përfshin shoqeërite private të sigurimeve në shitjen e këtij produkti;
- Skema e sigurimit e propozuar sjell kosto të shtuara dhe të pajustifikuara ndaj qytetarëve. Kjo pasi, shoqëritë e sigurimit që operojnë në treg, kanë eksperiencën dhe ekspertizën e nevojshme teë fusheës. Ato kanë të ngritur infrastrukturën e nevojshme për ofrimin e produkteve të sigurimit ndaj qytetarëve dhe kanë burime njerëzore të specializuara në sigurime. Krijimi i një enti apo shoqërie të re shtetërore sikurse propozohet në projektligj, do të sillte shpenzime të mëdha për ti ngritur nga e para këto kapacitete, shpenzime këto që në fund do ti transferohen qytetarëve;
- Gjetja e programeve të duhura të risigurimit nga risigurues të fuqishëm botëror, do të sillte kosto tepër më të lartë për entin/shoqërinë shtetërore, ndërsa shoqëritë e sigurimeve mbështeten prej vitesh nëpërmjet programeve të risigurimit nga risigurues të fuqishëm botërore dhe kanë aftësi të përballojnë dëme të mëdha; Këtë gjë e dëshmoi dhe reagimi shumë pozitiv që morën qytetarët që i kishin shtëpitë e siguruara në Kompanitë e Sigurimit, ata u dëmshpërblyen në kohë rekord, dmth tregu i sigurimeve dhe partnerët e tyre ndërkombëtarë e kaluan një provë shumë pozitive duke paguar rreth 40 milion Euro në rastin e tërmeteve të vitit 2019;
- Përmbajtja e projektligjit ngre pikëpyetje për kushtetutshmërinë e tij, pasi:
- – cënon parimin bazë të veprimtarisë së lirë ekonomike, – cënon parimin e sigurisë juridike, në lidhje me pritshmërine legjitime që kanë shoqëritë e sigurimeve në një treg të lirë ekonomik, në kushtet kur shteti ndërhyn duke u kthyer nga Rregullator të tregut në Operator – cënon interesat e pronarëve të pasurive të paluajtshme/banesave që i kanë të siguruara nga tërmeti pranë shoqërive të sigurimit për periudha disa vjeçare.
- Projektligji anashkalon kornizën ligjore të rregullimit të tregut të sigurimeve, parashikuar nga ligji nr.52/2014 “Për veprimtarinë e sigurimit dhe ri sigurimit”.
- Projektligji favorizon me kosto shtesë subjekte të huaja në dhënien e konsulencës , menaxhimin dhe administrimin operacional lidhur me marrjen sigurim dhe trajtimin e pagesës të dëmeve etj. Kjo mund të jetë bërë nisur edhe nga projekte të mëparshme të inicuara nga konsulentë të huaj të organizmave ndërkombëtarë por që cënon drejtpërsëdrejti interesat e qytetarëve shqiptarë duke e rënduar koston e sigurimit nga tërmeti si dhe njëkohësisht më të duke marrë në konsideratë lënien jashtë të operatorëve të tregut të sigurimeve në Republikën e Shqipërisë rendimin e imazhit të një tregu financiar tashmë të konsoliduar me investitorë edhe shoqëri sigurimi të tregut europian. Ky veprim përveç të tjerave do cënojë integritetin e tregut të sigurimeve në Shqipëri brenda dhe jashtë vendit si dhe do të ulë interesin e qytetarëve për tu siguruar në sigurimet vullnetare duke cënuar punën e tregut dhe të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare i cili ka vertifikuar shoqëritë e sigurimeve;
“Industria e sigurimeve në Shqipëri, liberalizuar që prej vitit 1996 dhe që mbikëqyret nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare, tashmë është në një stad të konsoliduar. Qytetarët janë tashmë të familjarizuar prej vitesh me një treg sigurimi privat. Shoqëritë e sigurimeve kanë paguar rreth 40 milion euro dëme të shkaktuara nga Tërmetet e vitit 2019, çka është një tregues i kapacitetit dhe qëndrueshmërisë financiare të shoqërive të sigurimeve që operojnë në treg.
Ndërhyrja e shtetit në tregun e sigurimeve nëpërmjet këtij projektligji, duke e shndërruar misionin e tij nga një rregullator që duhet të garantojë një mjedis optimal të këtij tregu, në një aktor të drejtpërdrejtë në këtë treg, cënon drejtpërdrejtë lirinë ekonomike të shoqërive të sigurimit dhe për më tepër nuk përmbush qëllimin që synon të arrijë”, thekson ndër të tjera Sekretarja e Përgjithshme e Shoqatës së Siguruesve të Shqipërisë, Mimoza Hajdarmataj.
Kujtojmë këtu se, përveç Shoqatës së Siguruesve, kritike ndaj këtij projektligji ka qenë edhe Dhoma Amerikane e Tregtisë.
Sipas “AmCham Albania”, projektligji është hartuar pa u konsultuar sidomos me operatorët e tregut të sigurimeve, por edhe me ekspertë të fushës që mund të ofrojnë zgjidhje të mira mbështetur në eksperiencën që kanë, duke neglizhuar në mënyrë të përsëritur një proces konsultimi të rregullt dhe gjithpërfshirës.
Sipas saj, sigurimi i parashikuar në ligj është jo i plotë, pasi parashikon sigurimin vetëm nga tërmetet, dhe jo nga fatkeqësitë e tjera natyrore si zjarret apo përmbytjet dhe siguron vetëm banesën dhe jo lëndimet dëmet indirekte që mund të shkaktohen nga katastrofat.
LEXO EDHE: 88 miliardë dollarë/ Humbjet e siguruara nga katastrofat natyrore u rritën gjatë 9-mujorit 2023