0.5 C
Tirana
Sunday, November 24, 2024
spot_img
Faqe KryesoreLajmeAktualitetShqiptarët dhe paratë/ Si filloi ngatërresa “lek i ri”-“lek i vjetër”

Shqiptarët dhe paratë/ Si filloi ngatërresa “lek i ri”-“lek i vjetër”

Nga Kreshnik KUÇAJ

“Ngatërresa” e shqiptarëve me shprehjen e vlerës reale të parave duket se daton edhe më herët se në vitet 1964-’65, kohë kur  u zëvendësua leku i vjetër me lekun e ri. Përcaktimi i një kursi të ri për monedhën shqiptare ka qenë një praktikë e ndjekur menjëherë pas Luftës së Dytë Botërore ne Shqipëri.

Në këtë periudhë, me argumentin e luftës kundër inflacionit, u ndërmorën operacione monetare që pakësuan me më shumë se 5 herë sasinë e kartëmonedhave në qarkullim. Brenda 3 vitesh, të paktën 3 herë shqiptarët janë përballur me ndryshimin e kursit të parasë, duke u marrë paratë që zotëronin e duke u dhënë para të tjera, me kurs të ri.

Iljaz Fishta dhe Veniamin Toçi kanë analizuar në studimet e tyre me imtësi operacionet monetare të ndërmarra në vitet e para të pas çlirimit në Shqipëri. Pas çlirimit, në qarkullim në Shqipëri rezultojnë se kanë ishin 379 milion e 808 mijë e 895 franga shqiptare në qarkullim në formën e bankënotave. Regjimi dyshonte se një shumë e madhe kartëmonedhash ishin nxjerrë jashtë vendit e që mund të përdoreshin për qëllime të ndryshme, mes të cilave edhe për të financuar rrëzimin e pushtetit.

Operacioni i parë, vulosja e parave

Në qershor të vitit 1945 do të dilte urdhëresa e posaçme mbi vulosjen e bankënotave dhe çek-monedhave të ish Bankës Kombëtare të Shqipërisë. Në bazë të kësaj urdhërese vuloseshin bankënotat prej 20 e 100 franga shqiptare si dhe çek-monedhat e emetuara nga Banka Kombëtare. Vula që u përdor kishte trajtë drejtkëndëshi e përmbante në brendësi të saj n jë shqipnjë me yll dhe fjalët “Banka e Shtetit Shqiptar”. Nga vulosja, përjashtoheshin vetëm bankënotat me prerje nën 20 franga shqiptare.

Vulosja e parave do të kryhej brenda një kohë të shkurtër, 10 ditë, nga data 29 qershor deri më 8 korrik 1945. Kjo ishte kohëzgjatja e vulosjes së monedhës për të gjithë vendin. Në bazë të urdhëresës, qendrat e këmbimit të monedhave u përfshinë në tri zona me afate të caktuara.

Një zonë me vete përfshiu qendrat  kryesore. Këtu bënin pjesë rrethet e qendrës së Durrësit, Beratit, Elbasanit, Gjirokastrës, Korçës, Shkodrës, Tiranës e Vlorës. Për këto rrethe, këmbimi u parashikua të kryhej nga data 4 deri me 8 korrik 1946. Rrethet kufitare përbënin një zonë tjetër e cila përfshinte Bilishtin, Ersekën, Vithkuqin, Konispolin, Kukësin, Libohovën, Librazhdin, Lumën, Peshkopinë, Pogradecin, Thethin, Përmetin, Sarandën, Pukën, Zerqanin dhe Delvinën.

Një zonë e tretë përfshiu rrethet Ballsh, Burrel, Fier, Gramsh, Himarë, Kavajë, Kotë, Krujë, Lezhë, Lushnje, Peqin, Shijak, Mirditë, Tepelenë dhe Këlcyrë. Këmbimi i monedhave për këto rrethe u parashikua të kryhej nga data 4 deri 8 korrik. Ndarja e mësipërme u jepte përparësi zonave kufitare për këmbimin e monedhave të vulosura. Për këto zona u parashikua që këmbimi të fillonte më përpara e të kryhej në një afat më të shkurtër.

“Kjo kishte si synim që t’i priste rrugën hyrjes kontrabandë të  bankënotave nga jashtë. Në të njëjtën kohë ndarja në zona dhe krijimi i shumë qendrave për këmbimin  e bankënotave pati për qëllim që veprimi të kryhej sa më shpejt e pa pengesa të karakterit teknik e organizativ” shkruhet në studimin ekonomik të Fishtës dhe Toçit.

E në fakt, praktika e vulosjes nuk ishte ajo e vendosjes së parave para një vule por shkëmbimi i tyre me para të vulosura që kishin një kurs të ri. Vulosja e monedhave u bë në shtypshkronjën e Bankës së Shtetit dhe në 14 shtypshkronja të tjera të vendit që u mobilizuan për këtë çështje.

Më mbarimin e afatit të parashikuar, bankënotat dhe çek-monedhat që nuk do të paraqiteshin për vulosje konsideroheshin pa vlerë dhe për pasojë do të dilnin jashtë qarkullimit monetar.

Jashtë vulosjes mbeti më shumë prej 20 % të monedhës në qarkullim, e këtu bëhej fjalë edhe për bankënotat me prerje nën 20 franga shqiptare.

Tentativat për shmangie

E në fakt, kjo do të krijonte hapësira për fshehje. Në këtë periudhë nuk mungojnë përpjekjet për të shmangur deklarimin e sasisë së parave që zotëronin njerëzit e si rrjedhojë u ndoq praktika e shpërndarjes së parave ndër familjarë e të njohur. Po ashtu, u konstatua fenomeni i blerjeve si një mënyrë për të konvertuar paratë në mall, madje në shumë raste duke e penguar mallin më shtrenjtë (e në këtë rast, kostoja do të ishte sërish më e ulët se masa e tatimit që do të ushtrohej mbi ta).

Një praktikë tjetër ishte edhe ajo e “thyerjes” së parave; këmbimit me bankënota me prerje të vogël që nuk i nënshtroheshin këmbimit. Bilanci i kësaj mase tregon se nuk u paraqitën për vulosje 101 milion e 54 mijë e 754 franga shqiptare, të cilat si pasojë e mosvulosjes dolën jashtë qarkullimit monetar. Kjo shumë ishte e barabartë me 1/4 e bankënotave e çek-monedhave në qarkullim.

Nga 384 milion e 396 mijë franga që ishin në dhjetor të 1944 në qarkullim, si pasojë e efektit që pati vulosja, sasia e monedhës në qarkullim zbriti në 286 milion e 100 mijë franga shqiptare.

Në qendat e këmbimit u paraqitën 73 mijë e 87 persona!  15 mijë e 818 persona ishin nga ajo që konsiderohej si klasa e pasur, 9950 ishin punëtorë, 5 mijë e 26 prej tyre ishin zejtarë dhe 26 mijë e 574 ishin fshatarë.

Veç efekteve që do të kishte kjo masë në goditjen e tregtarëve e atyre që konsideroheshin si armiq të regjimit të ri, pakësimi i sasisë së monedhës në qarkullim përmes sistemit të këmbimit me para të vulosura e me kurs të ri, sipas studiuesve, solli si ndikim të drejtëpërdrejtë zbutjen e inflacionit dhe stabilizoi pjesërisht gjendjen në tregun e vendit. Po kjo masë e parë, do të ishte vetëm një masë parapërgatitore për operacionin e dytë, që do të ishte edhe më i rreptë.

Operacioni i dytë, zëvëndësimi i parave të vjetra me para të reja

Pothuajse fiks një vit nga operacioni i parë monetar, regjimi komunist do të niste një operacion të dytë, që këtë herë do të ulte edhe më tej sasinë e parave në qarkullim; pakësim me më shumë se 5 herë të sasisë.

Me 11 korrik të 1946, Presidiumi i Kuvendit Popullor miratoi dekretligjin “mbi këmbimin e bankënotave e të çek-monedhave të emetuara nga ish Banka Kombëtare e Shqipërisë” dhe të vulosura nga Banka e Shtetit Shqiptar si dhe të çekmonedhave të emetuara nga po kjo bankë. Në këtë mënyrë, po hiqeshin nga qarkullimi edhe paratë e vulosura, por këtë herë në këmbim jepej kartëmonedha e re, me një kurs të ri.

Në bazë të ligjit, hiqeshin nga qarkullimi bankënotat prej 20 dhe 100 franga shqiptare që ishin vulosur , çek-monedhat prej 20, 10, 200, 500, 1000, 2000 dhe 5000 franga të emetuara nga ish Banka Kombëtare e Shqipërisë dhe të vulosura nga Banka e Shtetit Shqiptar, çek-monedhat prej 100, 200 dhe 500 franga të emetuara nga Banka e Shtetit Shqiptar mbi formularët e ish Bankës Kombëtare. Këto monedha zëvëndësohehsin me monedha të reja të Bankës së Shtetit Shqiptar me prerje 5, 20, 100 dhe 500 franga.

U parashikua që të mbeteshin në qarkullim përkohësisht bankënotat dhe monedhat metalike prej 5, 2, 1, 0.40, 0.20 dhe 0.10 franga shqiptare të emëtuara nga ish Banka Kombëtare.

Monedhat e tjera metalike thyese e humbisnin vlerën ligjore të qarkullimit, pra u shpallën të pavlefshme e nuk mund të përdoreshin për blerje apo këmbime. Me ligj u caktua që raporti i këmbimit të monedhave të vjetra me monedha të reja të ishte 5 franga shqiptare të vjetra baraz me 1 frang të ri. Me këtë raport vlerësoheshin edhe monedhat e tjera që nuk hiqeshin nga qarkullimi. Çmimet e mallrave, tarifat e shërbimeve, qiratë e ndërtesave, pagat e punës, debitë dhe kreditë etj. uleshin me të njëjtin raport.

“Depozita për vepra rindërtimi” dhe “anti-informaliteti” përmes triskës së sheqerit

Sasia e parave që lejohej të këmbente çdo familje ishte deri në 5 000 franga shqiptare. Këmbimi bëhej prej një pjestari të familjes për të gjithë familjen, duke paraqitur për vërtetim triskën e furnizimit me sheqer.

Kjo masë kishte për qëllim që të mënjanonte paraqitjen për këmbim për qëllime evazioni të më shumë se një pjesëtari të një familje. Teprica mbi shumën e caktuar prej 5000 franga shqiptare, duhej të depozitohej në Bankën e Shtetit në llogarinë “Depozitë për vepra rindërtimi”. Këmbimi i monedhës së vjetër me monedhën e re u bë nga data 15 deri më 24 korrik 1946 në të njëjtën kohë në të gjithë vendin.

Ndëshkimi i shkelësve

Ata që shkelnin urdhëresën apo që tentonin të bënin manovrime për ta shmangur depozitimin e pavullnetshëm,  i konfiskoheshin paratë dhe nxirrej para gjykatës ushtarake.

Madje me 17 korrik do të kishte edhe një dënim me vdekje në Tiranë me akuzën e shpërndarjes së monedhës për këmbim te persona të tjerë. Ndërkohë, po në këtë ditë, 6 persona do të dënoheshin me burgim nga 2 deri në 30 vite me akuzën se po tentonin të shmangnin urdhëresën. Vendime të ngjashme u dhanë edhe në Shkodër, Durrës, Elbasan, Korçë, Vlorë etj.

Me këmbimin që u bë në raportin 5 franga = 1 frang,  sasia e monedhës në qarkullim pakësohej me 5 herë. Në të vërtetë me skemën që u ndoq, pakësimi i monedhës në qarkullim ishte edhe më i madh. Në këtë “operacion” nuk u paraqitën për këmbim 9.5 milion franga që me kursin e ri të këmbimit ishin 1.9 milion. Më shumë se 11 milion franga ose 3.4 milion me kursin e ri kaloi si “Depozitë për Vepra Rindërtimi”.

Kjo shumë përbënte ato që urdhëresa i cilësonte si “teprica” mbi 5000 franga që i këmbeheshin çdo kryefamiljari. Gjithsej mbetën jashtë qarkullimit 26.6 milion franga ose 5.3 milion me kursin e ri.

 Nxjerrja e frangut nga qarkullimi

Ende pa u “mësuar” me vlerën e re të parave që kishin, një vit më vonë nga operacioni i dytë monetar, shqiptarët do të përballeshin sërish me një kërkesë për zëvëndësimin e parave që kishin. Në vitin 1947 do të miratohej dekretligji që do të hiqte nga qarkullimi kartëmonedhat e quajtura Frang. Dekretligji i vitit 1947 parashikonte edhe emetimin e një emisioni të ri.

Në këtë mënyrë, njësia bazë e monedhës në vend do të caktohej Leku e si rrjedhojë frangu nuk do të përdorej më. Raporti i ri i këmbimit që i përcaktuar në vitin 1947 do të ishte 1 frang i vitit 1945= me 9 lekë të vitit 1947.  Përmes kësaj lëvizje, në qarkullim do të mbeteshin vetëm kartëmonedhat Lek. Kartëmonedhat 10, 50, 100, 500 dhe 1000 lekë të emetuara në 1947 kishin të njëjtën simbolikë (stemën e re të shtetit shqiptar dhe një ushtar) me përjashtim të shifrës dhe ngjyrës.

 Reforma  që solli ngatërresën “leku i ri-leku i vjetër”

Pas një periudhe “stabiliteti” në vitin 1964 do të ndërmerrej sërish një lëvizje tjetër ligjore  ku do të emëtohej ai që u emërtua si “leku i ri”. Në vitin 1965 do të emetohej leku i ri, që në thelb monedhave u hiqte një zero. Për shkak të ngjashmërisë, në pamje, shqiptarët nuk do të ambientoheshin me ndryshimin e vlerës së kartëmonedhës e do të vijonin t’i emërtonin ato me vlerën e mëparshme, fenomen që vijon ende në ditët e sotme.

spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

REKLAME

spot_img

Me te lexuarat