Më 22 maj 2025, Këshilli Evropian i Pagesave (EPC) publikoi versionin e ri të dokumentit “EPC list of Countries in the SEPA Schemes’ Geographical Scope” (EPC409-09, Version 7.0), ku përditësohet lista e vendeve dhe territoreve që bëjnë pjesë në zonën e vetme të pagesave në euro (SEPA – Single Euro Payments Area).
SEPA përfshin:
-
27 vende të Bashkimit Evropian (BE)
-
3 vende të Zonës Ekonomike Evropiane (EEA)
-
11 vende jashtë EEA, përfshirë edhe Shqipërinë.
Përmes vendimit të Bordit të EPC më 21 nëntor 2024, Shqipëria dhe Mali i Zi u pranuan në zonën SEPA, me datë zyrtare operacionale 5 tetor 2025.
Ndërsa më 6 mars 2025, në listë u shtuan edhe Maqedonia e Veriut dhe Moldavia, dhe më 22 maj 2025 edhe Serbia (me fuqi nga maji 2026).
Kjo do të thotë se bankat dhe institucionet shqiptare të pagesave, të licencuara nga Banka e Shqipërisë, do të mund të ofrojnë shërbime pagesash SEPA, duke lehtësuar transfertat bankare në euro me kosto të ulët, transparencë dhe shpejtësi të garantuar, njësoj si brenda BE-së.
Për qytetarët dhe bizneset shqiptare kjo është një mundësi e madhe që përfshin:
-
Pagesa dhe transferta më të shpejta në euro drejt Evropës
-
Kosto të reduktuara falë standardizimit SEPA
-
Një hap i rëndësishëm drejt integrimit financiar evropian
Këto janë vendet dhe territoret e përfshira në zonën gjeografike të skemave të pagesave SEPA:
Ishujt Åland, Shqipëria, Andorra, Austria, Azoret, Belgjika, Bullgaria, Ishujt Kanarie, Kroacia, Qiproja, Republika Çeke, Danimarka, Estonia, Finlanda, Franca, Guajana Franceze, Gjermania, Gjibraltari, Greqia, Guadelupa, Gernsej, Hungaria, Islanda, Irlanda, Ishulli i Manit, Italia, Xhersi, Letonia, Lihtenshtajni, Lituania, Luksemburgu, Madeira, Malta, Martinika, Majota, Moldavia, Monakoja, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Holanda, Norvegjia, Polonia, Portugalia, Reunioni, Rumania, Shën Bartolomeu, Shën Martini (pjesa franceze), Shën Pjeri dhe Mikeloni, San Marino, Serbia, Sllovakia, Sllovenia, Spanja, Suedia, Zvicra, Mbretëria e Bashkuar, Vatikani.