19.5 C
Tirana
Tuesday, July 1, 2025
spot_img
Faqe KryesoreLajmeAktualitetShqipëria në 11 vendet më të plakura të Europës, çfarë do të...

Shqipëria në 11 vendet më të plakura të Europës, çfarë do të thotë për industrinë e sigurimeve?

“Revista Monitor” njoftonte sot në një artikull se në vetëm 14 vjet, Shqipëria kaloi nga vendi me popullsinë më të re në Europë në mesin e 11 shteteve më të plakura, me moshë mediane 44.3 vjeç në vitin 2024, krahasuar me 31.9 vjeç në 2010.

Kjo rritje prej 12.4 vitesh është më e larta në kontinent, katër herë më e shpejtë se mesatarja e BE-së. Sipas Eurostat, plakja e popullsisë shqiptare po ndodh në ritme pa precedent, për shkak të rënies së lindshmërisë dhe emigracionit të lartë të të rinjve.

Vetëm në dy vitet e fundit, Shqipëria humbi neto 72 mijë persona, kryesisht të rinj në moshë pune.

Ky shok demografik rrezikon të ulë forcën e punës me 8% deri në 2030 dhe të ngadalësojë rritjen ekonomike, nëse nuk merren masa. Ekspertët kërkojnë politika urgjente që nxisin lindshmërinë, frenojnë emigracionin dhe përfshijnë diasporën.

Por si ndikojnë këto të dhëna në industrinë siguruese? A ndikojnë? 

Përgjigjja është një “Po” e fortë. 

Shpërndarja e popullsisë sipas grupmoshave ndikon drejtpërdrejt në elementë kyç për industrinë e sigurimeve, si kursimet për pension, kujdesi shëndetësor, tregu i banesave, sektori i automjeteve, kërkesa për kredi dhe mbulimi ndaj rreziqeve si vdekja apo paaftësia.

Tendencat aktuale demografike tregojnë rënie të lindshmërisë dhe vdekshmërisë, si dhe rritje të jetëgjatësisë, çka sjell një rritje të përqindjes së popullsisë në moshë pensioni.

Kjo ka ulur për dekada raportin midis popullsisë në moshë pune dhe pensionistëve, sidomos në vendet e zhvilluara. Në Evropën Perëndimore, ky raport ka rënë nga 4.8 në vitin 1964 në 2.6 në 2024 dhe pritet të zbresë në 1.5 deri në fund të shekullit. Kjo rrit presionin mbi sistemet publike të pensioneve dhe nxit kërkesën për kursime private.

Këto të dhëna i bazojmë te një studim i revistës ndërkombëtare “Economics and Insurance” dhe MAPFRE Economics.

Shqipëria radhitet nga të dhënat shifrore si një vend me potencial të mesëm- të ulët sa i takon TreguesiT Demografik të Potencialit të Sigurimeve (IPDFI- Insurance Potential due to demographic forces indicator).

Potenciali për rritjen e kursimeve private ndikohet edhe nga faktorë si të ardhurat për frymë.

Sigurimet e jetës, që janë të lidhura me kursimin, shfaqin një lidhje të fortë me PBB-në për frymë të korrigjuar sipas fuqisë blerëse (PPP).

Analiza tregon se 65.7% e ndryshimeve në primet për frymë për sigurimet e jetës midis tregjeve të ndryshme shpjegohet nga ky faktor.

Rritja e moshës mesatare dhe jetëgjatësisë sjell edhe shtim të shpenzimeve për kujdes shëndetësor, pasi të moshuarit kërkojnë trajtim më të shpeshtë dhe intensiv.

Këto shpenzime lidhen me të ardhurat për frymë: sa më e lartë të jetë PBB-ja dhe përqindja e popullsisë mbi 65 vjeç, aq më i madh potenciali për rritjen e këtyre shpenzimeve dhe zhvillimin e sigurimeve private shëndetësore, si shtesë ndaj sistemit publik.

Japonia është shembull tipik: në vitin 2020, personat mbi 65 vjeç përbënin 61.6% të shpenzimeve të sistemit publik shëndetësor, dhe kjo prirje pritet të rritet.

Tranzicioni demografik ndikon gjithashtu tregun e banesave dhe sektorin e automjeteve.

Grupmoshat mbi 25 vjeç lidhen ngushtë me kërkesën për banesa dhe kredimarrje. Rritja e kësaj popullsie nxit zgjerimin e tregut të pasurive të paluajtshme dhe të sigurimeve të lidhura me të.

Ndërkohë, në sektorin e automjeteve, PBB-ja për frymë është një tregues kyç që ndikon madhësinë e flotës së automjeteve dhe potencialin për sigurime të automjeteve. Rreth 62.1% e ndryshimeve në dendësinë e sigurimeve Jo-Jetë shpjegohet nga variacioni i PBB-së për frymë midis vendeve.

Së fundmi, madhësia e popullsisë ndikon drejtpërdrejt potencialin e tregut të sigurimeve, duke mundësuar përfitime nga ekonomitë e shkallës dhe investime në teknologji.

Për të vlerësuar këtë potencial, MAPFRE Economics ka zhvilluar treguesin IPDFI, që analizon 179 vende dhe 98.2% të popullsisë globale, duke matur aftësinë për të shfrytëzuar përfitimet nga potenciali demografik dhe rritja e të ardhurave.

Lajmet e fundit, të paktën kriteri demografik që vjen nga Shqipëria, nuk duken pozitive.

spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

REKLAME

spot_img

Me te lexuarat