Shoqata e Siguruesve të Shqipërisë ka njoftuar përmes publikimit në faqet e saj zyrtare në rrjetet sociale pjesëmarrjen në tryezën e diskutimit “Sfidat e Financimit të Teknologjisë Bujqësore”, organizuar nga Regional Environmental Center (REC) Albania, në bashkëpunim me aktorët kryesorë financiarë të vendit.
Në këtë aktivitet, ku të pranishëm ishin edhe përfaqësues të lartë të SIGAL, përfshirë zëvendësdrejtorin e përgjithshëm Ilir Halilaj, u diskutua mbi domosdoshmërinë e modernizimit të bujqësisë shqiptare përmes investimeve në teknologji novatore.
Këto teknologji synojnë rritjen e efikasitetit, uljen e kostove dhe fuqizimin e fermerëve për t’u përballur më mirë me sfidat klimatike.
Gjatë tryezës u theksua se është e nevojshme krijimi i mekanizmave më gjithëpërfshirës të financimit për teknologjitë bujqësore, si dhe forcimi i bashkëpunimit ndërmjet politikëbërjes, institucioneve financiare dhe komunitetit të fermerëve.
Aty u nënvizua gjithashtu se modelet e qëndrueshme të financimit janë thelbësore për ndërtimin e një sektori bujqësor konkurrues dhe të gjelbër.
Sipas Shoqatës së Siguruesve, bujqësia mbetet ende një sektor sfidues për sigurimet, ndaj pjesëmarrja në tryeza të tilla është thelbësore për zhvillimin e produkteve të reja që mbështesin fermerët dhe adresojnë rreziqet në rritje të shkaktuara nga ndryshimet klimatike.
Në fund, Shoqata shprehu mirënjohjen për organizatorët dhe të gjithë pjesëmarrësit, duke theksuar se vetëm përmes bashkëpunimit mund të ndërtohet një bujqësi më e sigurt, më e gjelbër dhe më e qëndrueshme për të ardhmen.





