Katër shqiptarë dëmtohen ose humbin jetën mesatarisht çdo ditë në rrugët e vendit. Në pjesën më të madhe të rasteve aksidentit ndodhin nga pakujdesia e drejtuesit të mjetit.
Nga 1 janari i vitit të ardhshëm, drejtuesit problematikë të mjeteve, të cilët kanë historik negativ me aksidentet, do të paguajnë më shumë për sigurimin e makinës.
Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare ka miratuar rregulloren e re për llogaritjen e siguracionit, ku çmimet që drejtuesit e mjeteve do të paguajnë do të diferencohen bazuar në disa faktorë risku.
“Ky sistem duhet të vihet me detyrim, me qëllim që ata drejtues automjetesh që i kanë pikët e nevojshme, pasi nuk kanë bërë shkelje të Kodit Rrugor të përfitojnë lehtësi në pagesë. Aplikimi i sistemit, “bonus-malus” do të bënte të mundur diferencimin mes përdoruesve të përgjegjshëm dhe atyre të këqij të rrugës”, tha për A2 CNN, eksperti i sigurisë rrugore Mamir Hodo.
Sipas rregullores në përllogaritjen e primit të sigurimit përveç historikut të aksidenteve do të merret në konsideratë edhe fuqia motorike, mosha e shoferit, eksperienca e tij në drejtimin e makinës, përdorimi i mjetit, qarku i regjistrimit të mjetit si dhe vjetërsia e makinës.
“Në bazë të studimeve që janë kryer, vlerësohet se kjo do të ulë me 10-15% të numrit të aksidenteve. Do të ishte më efikase se sa masat administrative që Policia Rrugore vendos”, nënvizoi Hodo.
Sistemi “bonus malus”, i cili përcakton çmimin e siguracionit të automjetit në bazë të historikut të numrit të aksidenteve është në fuqi prej 1 korrikut të 2021-shit, por deri tani nuk është zbatuar.