OTP Albania do të bëhet banka e shtatë në Shqipëri që emeton obligacione korporative.
Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF) ka njoftuar se në mbledhjen që do të zhvillohet këtë javë do të “Për regjistrimin e aktofertës së shoqërisë “Banka OTP Albania” sh.a., për emetimin e obligacioneve”.
Në të njëjtën mbledhje, AMF pritet të miratojë regjistrimin e ofertës së radhës së obligacioneve nga Credins Bank, si edhe aktofertën për emetimin e dytë të institucionit financiar jobankë IuteCredit Albania.
Obligacionet me ofertë private prej vitesh janë emetuar nga Credins Bank, Banka e Parë e Investimeve (Fibank), Banka Amerikane e Investimeve, Tirana Bank dhe Union Bank. Në muajin gusht, edhe Banka Kombëtare Tregtare regjistroi në AMF aktofertën për emetimin e parë të obligacioneve me ofertë private.
LEXO EDHE: Përse një Fond Pensioni Privat?
Bankat dhe institucionet financiare janë emetuesit kryesorë të obligacioneve korporative në tregun shqiptar.
Sipas të dhënave të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare (AMF), portofoli i obligacioneve me ofertë private, i llogaritur si vlera e emetuar dhe ende e pashlyer, arriti në 13.89 miliardë lekë, në rritje me 12.3% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Ndërkohë, këtë vit u realizua edhe emetimi i parë i obligacioneve të shoqërive tregtare me ofertë publike.
Rregullorja “Për mjaftueshmërinë e kapitalit” i njeh instrumentet e borxhit të varur si pjesë të kapitalit rregullator të bankave, deri në një të tretën e vlerës totale të kapitalit rregullator.
Bankat më të mëdha të sektorit këtë vit po përballen me një rritje të mëtejshme të kërkesave për kapital. Deri në fund të vitit 2023, këto banka duhet të përmbushin një shtesë prej 1.5% në raportin e përgjithshëm të mjaftueshmërisë së kapitalit.
Aktualisht, ky detyrim ka hyrë në fuqi për katër bankat me rëndësi sistemike, Banka Kombëtare Tregtare, Banka Credins, Banka Raiffeisen Shqipëri, Banka OTP Albania, si edhe për Bankën Intesa Sanpaolo Albania. Ato janë subjekt i plotësimit të kërkesës minimale për instrumente të kapitalit rregullator dhe detyrime të pranuara (MREL), sipas rregullores së miratruar nga Banka e Shqipërisë në dhjetor 2020. Kjo rregullore lidhet me kuadrin e ri që ka sjellë ligji “Për rimëkëmbjen dhe ndërhyrjen e jashtëzakonshme në banka”.
Deri në vitin 2027, raporti i kërkuar i mjaftueshmërisë së kapitalit për bankat më të mëdha mund të arrijë deri në 27%, nga 12% që ishte kërkesa minimale deri në vitin 2019.
Në vitet e fundit, bankat janë përballur me një rritje graduale të kërkesa për kapital, me hyrjen në fuqi të shtesave makroprudenciale të kapitalit dhe të kuadrit rregullator plotësues, i lidhur me skemën e ndërhyrjes së jashtëzakonshme. Përveç kërkesës bazë prej 12%, të parashikuar në rregulloren “Për mjaftueshmërinë e kapitalit”, që nga viti 2019 kanë nisur të aplikohen edhe shtesat makrprudenciale të kapitalit.
Shtesa konservuese e kapitalit për të gjitha bankat e sektorit për vitin 2022 ishte 1.5%, ndërsa deri në fund të vitit 2023 duhet përmbushur niveli i rritur prej 2%. Ndërkohë, për katër bankat me rëndësi sistemike, aplikohet edhe shtesa e posaçme, në vlerat 0.5%, 1% dhe 1.5%, në varësi të notës së rëndësisë sistemike të bankës.
Duke marrë në konsideratë shtesat e mësipërme, si dhe shtesën specifike që kanë disa banka të sektorit, kufiri i raportit të kërkuar të mjaftueshmërisë së kapitalit varion ndërmjet 16% dhe 19% për bankat me rëndësi sistemike, dhe 14% dhe 17% për bankat e tjera.
Sipas Bankës së Shqipërisë, raporti i mjaftueshmërisë së kapitalit në fund të muajit shtator arriti në 19.63%, nga 19.3% në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Treguesi i mjaftueshmërisë së kapitalit mat vlerën e kapitalit rregullator të sektorit bankar në raport me vlerën e aktiveve të ponderuara me koeficientët përkatës të rrezikut dhe është parametri më i rëndësishëm rregullator për sektorin bankar dhe treguesi kryesor i aftësisë së bankave për t’iu rezistuar humbjeve të mundshme në të ardhmen./Monitor