Ulja e numrit të operatorëve po jep efektet e para në rritjen e kostove të komunikimit celular për shqiptarët.
Shpenzimi mesatar për shërbimet celulare u rrit për të tretin vit radhazi, ndërsa edhe shifrat krahasuese të ITU për treguesit e nivelit të shpenzimeve në raport me të ardhurat për frymë janë rritur.
Të dy operatorët celularë në vend përmirësuan rezultatin financiar vitin e kaluar.
Shpenzimi mesatar për shërbimet celulare u rrit për të tretin vit radhazi në 2023
Çdo përdorues shpenzoi vitin e kaluar mesatarisht më shumë se 7900 lekë për shërbime të komunikimeve celulare.
Sipas të dhënave nga Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP), vitin e kaluar, shpenzimi mesatar i shqiptarëve për këto shërbime u rrit me rreth 16% krahasuar me një vit më parë.
Kjo vlerë mbështetet në treguesin e të ardhurave mesatare për përdorues të operatorëve celularë (ARPU) dhe llogaritet si raport i të ardhurave nga shërbimet me pakicë me numrin total të përdoruesve aktivë. Shpenzimi mesatar i shqiptarëve për shërbimet celulare u rrit për të tretin vit radhazi.
Gjithashtu, shpenzimi mesatar i shqiptarëve për çdo minutë thirrje celulare vitin e kaluar u rrit në 4.78 lekë për minutë, në rritje me 27% krahasuar me një vit më parë.
Kjo vlerë bazohet në treguesin e të ardhurave mesatare për minutë (ARPM), që llogaritet si raport i të ardhurave nga shërbimet me pakicë me sasinë e minutave dalëse dhe tregon të ardhurat e sipërmarrësit për një minutë.
Ulja e numrit të operatorëve celularë në vend ka filluar që të ndikojë në shtrenjtimin e paketave të komunikimit.
Operatorët celularë kanë rritur çmimet për paketat bazë të komunikimit me parapagesë me 100-200 lekë në dy vitet e fundit, por ndërkohë kanë ulur edhe njësitë e përfshira të komunikimit në to, si një formë për të nxitur përdoruesit të lëvizin drejt paketave me çmim më të lartë.
Ndërkohë, të dy operatorët celularë, në kushtet e përgjithshme të kontratës, kanë përcaktuar të drejtën e tyre për të indeksuar çdo vit çmimin e paketës me inflacionin mesatar vjetor, sipas shifrës së publikuar nga Instituti i Statistikave (INSTAT) për vitin paraardhës. /Monitor