Raporti i mbulimit të depozitave të siguruara bankare nga fondi i Agjencisë së Sigurimit të Depozitave (ASD) u rrit përsëri vitin e kaluar.
Sipas informacionit të ASD, në fund të vitit 2023, raporti arriti në 7.27%, nga 7% që ishte një vit më parë.
Ky tregues llogaritet si raporti mes vlerës totale të fondit të sigurimit të depozitave bankare dhe vlerës totale të depozitave të siguruara.
Rritja e këtij raporti tregon se fondi i sigurimit edhe vitin e kaluar është rritur me ritme më të shpejta se vlera e depozitave të siguruara.
Për bankat tregtare, primi tremujor i sigurimit përllogaritet si 0.125% e mesatares aritmetike të shumës së depozitave të siguruara, që janë regjistruar në bankë në ditën e fundit të çdo muaji të tremujorit të mëparshëm.
Megjithatë, ligji “Për Sigurimin e Depozitave”, në nenin 31, pika 11 përcakton se “Agjencia (ASD) mund të ulë primin tremujor të pagueshëm nga bankat anëtare të skemës së sigurimit të depozitave deri në 0,025% të mesatares aritmetike të shumës së depozitave të siguruara, që janë të regjistruara në bankë në ditën e fundit të çdo muaji të tremujorit të mëparshëm, por vetëm nëse mjetet financiare të Agjencisë janë jo më pak se 5% të mesatares së këtyre depozitave”.
Duke pasur parasysh se ligji e parashikon këtë mundësi, bankat tregtare po kërkojnë prej më shumë se tre vjetësh nga autoritetet rregullatore uljen e primit të sigurimit të depozitave. Bankat argumentojnë se në vitet e fundit po përballen me një rritje të fortë të kostove nga masat e reja ligjore dhe rregullatore.
Veç sigurimit të depozitave, ato paguajnë edhe për ngritjen e Fondit të Ndërhyrjes së Jashtëzakonshme. Megjithatë, ASD prej vitesh shprehet se është ende në fazën e analizave lidhur me mënyrat e zhvillimit të mëtejshëm të skemës së sigurimit të depozitave.
Dilemat lidhen me nevojën për të siguruar gradualisht një përputhshmëri me legjislacionin e Bashkimit Europian. Analiza e harmonizimit të legjislacionit në kapitullin e shërbimeve financiare ka treguar se niveli i përputhshmërisë së ligjit “Për sigurimin e depozitave” me direktivën e BE –së “Për skemat e sigurimit të depozitave, të vitit 2014, vlerësohet si i moderuar.
Për të mundësuar përputhshmërinë e plotë me këtë direktivë janë disa çështje që duhen adresuar, duke filluar nga mospërputhja e nivelit maksimal të mbulimit me sigurim. Aktualisht, skema e sigurimit të depozitave bankare në Shqipëri garanton një mbulim ligjor deri në shumën maksimale prej 2.5 milionë lekësh. Ndërkohë, skema e mbulimit të depozitave në Bashkimin Europian parashikon një mbulim deri në shumën e 100 mijë eurove.
Vlera e fondit të sigurimit të depozitave në banka në fund të vitit të kaluar arriti në 63.55 miliardë lekë, lekë me një rritje prej 9.7% krahasuar me një vit më parë.
Ky fond ka dy burime kryesore financimi: primet që paguhen nga bankat dhe të ardhurat nga investimi i fondit.
Të ardhurat nga primet e sigurimit për vitin 2023 arritën në 4.17 miliard lekë ose 4.38% më të larta se në vitin 2022. Të ardhurat nga primet e sigurimit përgjatë periudhës 2013 – 2023 kanë ardhur vazhdimisht në rritje, gjë që lidhet drejtpërsëdrejti me rritjen e depozitave të siguruara në sistemin bankar në këto vite.
Ndërsa të ardhurat nga investimi i mjeteve financiare të fondit të sigurimit të depozitave në banka për vitin 2023 ishin 2.34 miliard lekë ose 45.6% më shumë se në vitin 2022.
Rritja e të ardhurave për vitin 2023 erdhi kryesisht nga rritja e vlerës nominale të portofolit dhe nga të ardhurat për investimet mbi një vit të realizuara një vit më parë.
Mjetet financiare të fondit të sigurimit të depozitave investohen në instrumente financiare me rrezik të ulët, kryesisht bono dhe obligacione qeveritare./Monitor