Sigurimi është zgjedhja më e zgjuar për individin dhe ekonominë e një vendi dhe këtë mund ta ilustrojmë me djegien e një shtëpie.
Në një botë të pasigurt, ku pasuritë, shëndeti dhe përgjegjësitë e përditshme janë gjithmonë të rrezikuara, siguruesit luajnë një rol kyç për të mbrojtur individin, familjet, bizneset dhe institucionet.
Roli i tyre shtrihet përtej mbrojtjes individuale: ata kontribuojnë në stabilitetin financiar dhe zhvillimin e ekonomisë.
Djegia e një shtëpie, si ilustrim
Një qytetar punon dhe kursen 30 vjet dhe ndërton një shtëpi me vlerën 200 mijë euro.
Ekzistojnë tre mënyra kryesore për të menaxhuar rreziqet e jetës, në rastin konkret të shtëpisë:
Mënyra e parë: të shpresosh tek fati.
Mënyra e dytë: të mbash kursime të lira “për çdo rast”.
Mënyra e tretë: të përdorësh sigurimin.
Mënyra e parë është e pasigurt dhe e paarritshme në një botë reale. Ndonjëherë merr trajta qesharake. Nuk mjafton siguria financiare e shtëpisë, investimit, përmes “mbrojtjes nga syri i keq”.
Mënyra e dytë mund të duket e sigurt, por është shpesh e shtrenjtë dhe jo praktike.
Thënë thjesht: pasi qytetari kurseu për 30 vjet për të ndërtuar shtëpinë me vlerën 200 mijë euro, i duhen edhe 30 vjet të tjera kursime për ta rindërtuar shtëpinë me të njëjtën vlerë nëse ajo shkatërrohet.
E pamundur!
Mënyra e tretë, sigurimi, nga ana tjetër, ofron një zgjidhje të thjeshtë, të përballueshme dhe inteligjente për të mbrojtur veten dhe asetet tuaja.
1 euro sigurim për metër katror, pronari mund të sigurojë rindërtimin e saj pa u përballur me nevojën për të mbajtur 200,000 euro të gatshme në çdo moment.
1 euro për 1 metër katror, 200 euro në vit, për shtëpinë 200 metra katrorë.
Ky efekt mbrojtës nuk ndihmon vetëm individin; ai lehtëson barrën mbi ekonominë, duke shmangur krizën e lëvizjes së parave të paplanifikuara për emergjenca.
Po ashtu lehtëson edhe barrën që shtetit mund t’i ngarkohej për ta ndihmuar me rindërtimin. Përvoja rindërtuese e tërmetit në Shqipëri e faktoi më së miri: të parat shtëpi që u rimëkëmbën ishin ato të siguruarat, të tjerat vijojnë ende në pritje për të hyrë në banesat e reja.
Përfitimet shumëfishe
Përfitimet janë të dyfishta: për individin, sigurimi siguron qetësi dhe stabilitet financiar;
për ekonominë e një vendi, ai çliron kapital që mund të investohet në projekte të dobishme dhe të rritet aktiviteti ekonomik. Bizneset përfitojnë nga një siguri më e madhe për operacionet e tyre, ndërsa familjet mund të planifikojnë të ardhmen pa frikë nga humbjet e papritura.
Buxheti i shtetit, në vend se të përqendrohet në plane emergjence, ndjek lirshëm prioritete të tjera të zhvillimit.
Në thelb, sigurimi nuk është thjesht një produkt financiar; është një instrument strategjik për menaxhimin e rreziqeve dhe mbështetjen e stabilitetit të qëndrueshëm ekonomik.
Në një kohë kur pasiguria është pjesë e përditshme, zgjedhja e sigurimit është më shumë se një zgjedhje personale është një vendim ekonomik i mençur dhe gati-gati akt patriotik, sepse ndihmon edhe shtetin tënd, në vend që të jetë shteti që të ndihmon ty.




