Universitetet amerikane çelin epokën e pagave për sportistët e skuadrave të tyre universitare.
Sigurimi i aksidenteve apo dëmtimeve në sport bëhet kështu arma e re për të mbrojtur miliarda dollarë.
Këtë e raportonte një artikull i Gazetës së Sigurimeve dje, me autor Alen Lamanin.
Nga artikulli mësohet se:
Për herë të parë në historinë 173-vjeçare të sportit universitar në SHBA, universitetet po përgatiten të paguajnë drejtpërdrejt sportistët e tyre.
Një marrëveshje e propozuar midis NCAA dhe pesë konferencave kryesore sportive pritet të lejojë pagesa të drejtpërdrejta, me një tavan prej 20 milionë dollarësh për çdo shkollë.
Ky zhvillim historik ka nxitur universitetet të kërkojnë mënyra për të menaxhuar rreziqet e reja financiare që sjell kjo praktikë.
Një ndër këto mënyra është edhe qasja për forma të reja sigurimi, të ndërtuara posaçërisht për këtë realitet të ri.
Kompania “Players Health”, me qendër në Mineapolis, po udhëheq qasjen e re me produkte sigurimi që mbulojnë lëndime kritike, transferime të papritura dhe madje edhe shpërblime të bazuara në performancë.
Politikat e tyre parametrike ofrojnë pagesa automatike nëse një sportist dëmtohet rëndë dhe humbet të paktën 40% të sezonit.
Për më tepër, universitetet mund të sigurojnë vlerën e kontratave të tyre në rast se një sportist transferohet papritur pa luajtur asnjë ndeshje.
Sportistët universitarë tashmë mund të fitojnë nga sponsorët dhe grupet e dhuruesve, por jo nga vetë universitetet.
Kjo pritet të ndryshojë me vendimin përfundimtar në çështjen “House vs. NCAA”.
Kompanitë si Players Health kanë krijuar modele që parashikojnë mundësinë e transferimeve dhe përcaktojnë çmimet e sigurimeve në bazë të këtyre rreziqeve.
Përveç sigurimit për dëmtime dhe transferime, ofrohen edhe produkte që stimulojnë sportistët për arritje në fushë, si përfshirja në ekipe të konferencës ose fitimi i çmimeve prestigjioze.
Këto politika janë menduar për të rritur konkurrueshmërinë e universiteteve më të vogla dhe për të tërhequr talente.
Disa shkolla të konferencave si Big 12, SEC dhe Big East tashmë kanë blerë këto produkte, ndërsa qëllimi final është përdorimi i të dhënave për të transformuar sjelljen dhe vendimmarrjen në sportin universitar.